Thierry Henry mendon se Arsenali duhet të jetë i shqetësuar për Manchester Cityn në garën për titullin e Premier League, duke thënë se së fundmi është “shumë i impresionuar” me skuadrën e Pep Guardiolës.
“The Gunners” janë katër pikë përpara në krye të tabelës pas 11 ndeshjeve, duke fituar tetë prej tyre, kështu që gjërat po shkojnë shumë mirë për skuadrën e Mikel Artetas momentalisht.
Megjithatë, raundi i fundit i ndeshjeve ishte i mirë për Manchester Cityn, pasi ata mposhtën bindshëm Liverpoolin 3-0 dhe Arsenali humbi pikë në barazimin 2-2 në fushën e Sunderlandit.
Liverpooli është kampion në fuqi i Premier League, por mbrojtja e titullit e tyre ka nisur shumë keq dhe Henry mendon se Manchester City është kundërshtari më i vështirë që mund të kishte Arsenali.
“Nëse je tifoz i Arsenalit, pikërisht kjo është skuadra që nuk do ta doje pas shpatullave, sepse ata dinë si të fitojnë”, tha ai. “Nuk është mirë për një tifoz të Arsenalit t’i shohësh ata duke u rikthyer në nivelin e tyre. Duken si një skuadër gati për të nisur një seri fitoresh”.
“Mendoj se Pep duhej të përballej me faktin që kishte dy asistentë të rinj dhe një mënyrë të re loje. Ajo që po shpresoja ndërsa City po përshtatej ishte që Arsenali të mund të ecte përpara dhe të merrte disa pikë, dhe pikërisht kjo ndodhi. Por do të jetë një betejë deri në fund”, deklaroi Henry.


