Sporti

Hendboll: Danimarka fiton Kampionatin Evropian, mposht Gjermaninë në finale

02/01/2026 20:17
nga:Lorik J

Danimarka ka dëshmuar sërish se është Kombëtarja më e mirë e hendbollit, duke u kurorëzuar me titullin e kampionit të Evropës.

Në finalen e jashtëzakonshme në Herning, danezët fituan ndaj Gjermanisë me rezultat 34:27.

Për Danimarkën është titulli i tretë i Evropës. Të parin e kishte fituar në vitin 2008, kurse të dytin në vitin 2012. Në Evropianin e kaluar, në vitin 2024, ishte mposhtur në finale.

Simon Pytlick ishte më efikasi te Danimarka me tetë gola. Nga shtatë i shënuan Mathias Gidsel dhe Johan Hansen. Kevin Moller i bëri tetë pritje, kurse Emil Nielsen shtatë.

Te Gjermania nga pesë gola i shënuan Johannes Golla, Juri Knorr e Marko Grgiq. Portieri Andreas Wolff ishte i jashtëzakonshëm me plot 14 pritje.

Danimarka tani i ka dy tituj olimpikë, katër tituj të botës dhe tre tituj të Evropës.

Gjermania u kthye në finale të Evropianit pas 10 vjetësh. Mbetet me dy tituj kontinentalë, të fundit në vitin 2016.

Medalja e bronztë i takoi Kroacisë, që për vend të tretë fitoi 34:33 ndaj Islandës.