Sporti

Ekskluzive| UEFA përgjigjet në lidhje me mbishkrimet nacionaliste serbe: Nuk është në juridiksionin tonë

11/15/2021 11:45
nga:Mergim Rreci

Futbollistët e Serbisë e festuan sigurimin e pjesëmarrjes në Kupën e Botës 2022, pas fitores kundër Portugalisë të dielën, të veshur në fanella që mbanin mbishkrime nacionaliste.

Për më tepër, në një hartë serbe në fanellat e tyre, ata e paraqesin Kosovën si pjesë të Serbisë.

“Le të valëvitë flamuri i Serbisë nga Prizreni deri në Rumije (Mal të Zi)”, ishte mbishkrimi në fanellat e tre futbollistëve serbë që pozuan duke i ngritur lart tre gishta pas fitores 2:1 kundër Portugalisë në Lisbonë.

GazetaBlic Sport ka kontaktuar UEFA-n për këtë, të cilët janë përgjigjur se nuk është nën juridiksionin e tyre organizimi i ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës.

“Kualifikimet evropiane për Kupën e Botës FIFA 2022 bien nën juridiksionin e FIFA-s, dhe për rrjedhojë, rregullat dhe rregulloret e tyre. Ju duhet të kontaktoni FIFA-n nëse do të hapet ndonjë procedim disiplinor i mundshëm“, thuhet në përgjigjen e tyre.

GazetaBlic Sport ka kontatuar edhe FIFA-n për këtë gjë dhe po pret një përgjigje nga ana e tyre.