Drilon Hazrollaj dje luajti ndeshjen e fundit me fanellën e Malishevës, pasi tani do bëjë hapin e radhës, drejt Superligës së Rumanisë, ku do t’i bashkohet ekipit rumun, Rapid.
Hazrollaj realizoi gol në barazimin 2-2 ndaj Prishtinës, që ia siguroi matematikisht Malishevës, kualifikimin në kualifikueset e Conference League, shkruan GazetaBlic Sport.
Hazrollaj me anë të një postimi ka theksuar se do mbetet gjithmonë falënderues ndaj klubit, teksa Malisheva gjithmonë do mbetet në zemrën e tij.
Ja postimi i Hazrollajt:
“Të dashur tifozë, kapitulli im me Malishevën përfundoi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke arritur objektivat.
Me shumë emocione, dua të falënderoj nga zemra klubin për gjithçka që ka bërë për mua. Ky klub nuk ka qenë thjesht një stacion në karrierën time – ka qenë shtëpia ime, një vend ku jam rritur si futbollist dhe si njeri.
Çdo stërvitje, çdo ndeshje, çdo përjetim – i mirë apo i vështirë – më ka bërë më të fortë dhe më të përgatitur për rrugën që kam përpara. Faleminderit stafit teknik, bashkëlojtarëve, drejtuesve të klubit dhe sidomos tifozëve që më kanë përkrahur pa kushte dhe më kanë dhënë forcë sa herë që kam zbritur në fushë.
FC Malisheva do të mbetet gjithmonë pjesë e imja. Largimi nuk është një fund, por një fillim i ri – dhe unë do ta mbaj gjithmonë me krenari emrin e këtij klubi, kudo që të jem.
Kapitulli im i radhës do të jetë me ekipin e Rapidit të Bukureshtit, të cilit mezi pres t’i bashkohem dhe të vazhdoj rrugën e sukseseve të mia drejt ëndrrës sime të madhe”, shkroi Hazrollaj në Facebook.
/GazetaBlic Sport


