Lajme

Haziri rithekson qëndrimin e LDK-së: Kosovës i duhet një marrëveshje përfundimtare e përqendruar te njohja e ndërsjellë

03/28/2023 20:27
nga:Arsim Buxhovi

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i shoqëruar me bashkëpunëtorët e tij ka pritur sot në takim ambasadorin e Finlandës, Matti Nissinen i cili ishte i shoqëruar nga delegacioni i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Finlandës dhe Fondacioni për Paqe “Marti Ahtisari” – CMI.

Sipas njoftimit nga LDK-ja, në takim u diskutua për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe ndërlidhjen me procesin e integrimit evropian.

“Nënkryetari Haziri ka ritheksuar qëndrimin e LDK-së mbi procesin e dialogut për mbështetjen e këtij procesi me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshierjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së. LDK po ashtu mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces”, thuhet në kumtesën e LKD-së.

“LDK përsërit që Kosovës i duhet një marrëveshje përfundimtare e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”.