Lajme

Haziri për VV-në: Thonin veç me ta do të vie era shtet, por po kundërmon erë hajnie

09/28/2024 21:50
nga:Sh R

‘Era shtet, kur të vidhet drita, buka e kripa’, ka shkruar kështu nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.

Përmes një postimi në Facebook, Haziri ka shkruar se shteti serb ka punuar shumë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, edhe pse ajo fushatë ishte e ndaluar me Marrëveshjen e Washingtonit, mirëpo sipas tij, Serbia më s’ka nevojë të parandalohet në atë fushatë, pasi siç ka shkruar Haziri, punën e tyre po e bëjnë ‘Kurti dhe ministrat e tij’.

”Serbia ka punuar shumë në ofanzivë diplomatike në disa shtete të oqeanit pacifik dhe nëpër skaje të botës për të tërhequr njohjet e Kosovës. Marrëveshjen e Ëashingtonit, e cila e ndalonte fushatën e Serbisë për tërheqjen e njohjeve, Qeveria Kurti nuk e zbatoi, por na e sollën marrëveshjen e Ohrit Kurti-Vuçiq. Tashmë s’ka nevojë të parandalohet Serbia në atë fushatë, sepse punën e tyre po e bëjnë Kurti dhe ministrat e tij. Çka me pritë prej tyre që shesin energji përmes GEN-it serb, vjedhin rezervat shtetërore e së fundmi, tentojnë me vjedhë edhe pasulin e FSK-së?!”, ka shkruar Haziri në Facebook.

Tutje, Haziri ka shkruar se ata që e kundërshtuan e s’e deshën Republikën e 17 shkurtit, ‘sot po e udhëheqin në izolim deri në falementim’.

”A po kuptoni, dritën, bukën e kripën po na e vjedhin. Maxhen e popullit. Kjo hajni ka emër se njëmend nuk do ndodhur deri sot. Nuk do t’ia falin sepse e propagandonin të kundërtën në kohën e mbledhjes së votave, praptonin realitete se veç me ta do të vie ‘era shtet’. Por, po kundërmon erë hajnie!”, ka përfunduar nënkryetari i LDK-së.