Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të koordinohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe për sa i përket ndalimit të qarkullimit të dinarit në Kosovë.
Më 1 shkurt ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb.
Vendet perëndimore përfshirë ambasadën amerikane në Kosovë ka thënë se këto veprime të ndërmarra nga institucionet Kosovës kanë efekte negative për serbët lokalë
Haziri i cili po qëndron në SHBA në një përgjigje për VOA në gjuhën shqipe kërkon që udhëheqësit aktualë në Kosovë duhet të rikthehen tek koordinimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara, përfshirë për çështjet si vendimi për ndalimin e qarkullimit të dinarit dhe thotë se në këtë vit zgjedhor në vendet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, pas të cilave, sipas tij, do të jetë e paqartë se si do të trajtohen problemet në rajon, Kosova duhet të mbyllë çështjet e hapura me Serbinë për të mos mbetur, siç thotë ai, fuçi baroti.
“E kaluara ka treguar qartë që në asnjë rast SHBA-ja kur ka premtuar dhe ka marr zotime karshi popullit të Kosovës edhe qeverisë së Kosovës nuk ka dështuar në mbajtjen e fjalës, në asnjë rrethanë. Dhe tani ne duhet me mirëbesim edhe këtë hap drejt normalizimit ta koordinojmë me ndërmjetësit ndërkombëtarë sepse BE-ja është shtëpia jonë e ardhshme”, ka thënë Haziri.
“Zbatimi i rregullores është obligim kushtetues por koordinimi është i domosdoshëm në mënyrë që mos me u prek edhe interesi i partnerëve strategjikë. Është dashtë me çdo kusht me iu kthy një koordinimi më të mirë, një bashkëpunimi, një pragmatizmi që duhet me pasë, në mënyrë që me u largu problemet nga tavolina me shku drejt një normalizimi. LDK’ja jo rrallëherë e ka kërku dhe konfirmu që Qeveria duhet me vazhdu me dialog. Koordinimi me partnerët është obligim jo për shkak të kaluarës por për shkak të ardhmes” ka shtuar ai.