Lajme

Haziri: LVV bllokoi sërish seancën e konstituimit të Kuvendit

04/17/2025 19:37
nga:Genita C

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për bllokimin e dytë të seancës konstituive të Kuvendit, raporton GazetaBlic.

Ai theksoi se, megjithëse ishte arritur kuorumi me 100 deputetë të pranishëm, kryesuesi i seancës nga LVV-ja ka shkelur Rregulloren e Kuvendit duke thirrur për konsultime politike pa mandat të qartë.

Haziri e cilësoi këtë veprim si pengesë të qëllimshme për formimin e institucioneve të reja dhe theksoi se Republika duhet të jetë mbi të gjitha.

E plotë:

Sërish Lëvizja Vetëvendosje bllokoi seancën e konstitutimit të Kuvendit.

Pati kuorum, prezentë ishin 100 deputetë. Deputetët e LDK-së ishin në sallë. Fatkeqësisht, kryesuesi i kësaj seance, deputet nga radhët e LVV-së, shkeli Rregulloren e Kuvendit, duke thirrur fillimisht për konsultime politike, pa qenë i autorizuar dhe pa pasur mandat për një gjë të tillë.

Veprimet e sotme të LVV-së shpërfaqin bllokimin faktik të procesit të konstituimit të Kuvendit dhe themelimin e institucioneve të reja.

Republika, mbi të gjitha!