Lajme

Haziri: LDK e gatshme për zgjedhje, tendenca e Kurtit me i mbulu dështimet duke e futur kokën në zallë, reflektim i frikës

09/19/2023 14:28
nga:N M

LDK, është e gatshme të shkojë menjeherë në zgjedhje.

Kështu ka pohuar nënkryetari i LDK-së Lufti Haziri.

Derisa i ka komentuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti se me shkuarjen në zgjedhje, do të zhduket opozita, Haziri ka thënë se ky qëndrim vjen si pasojë e frikës politike. Sipas tij tendenca me i mbulu krejt dështimet, duke e futur kokën në zall, është më shumë reflektim i frikës politike, se sa qëndrim politik.

“Ky qëndrim vjen si pasojë e frikës politike, nga krejt ajo që ka ndodhur jo vetëm për dialogun, rreth dialogun për të cilin ne i kemi dhënë mbështetje bllanko, por dhe në politikën e brendshme. Përceptimi publik muajin e fundit jo vetëm në Prishtinë, por në të gjitha qendrat e mëdha, tregon për një rikthim të LDK- së. Porgrami i LDK-së i lansuar tashmë në kuadër të zgjidhjes së problemeve sistemore për qytetarët, po bëhet opsion dhe po bëhet një rikthim i madh. Tendenca me i mbulu krejt këto dështime duke e futur kokën në zall, është më shumë reflektim i frikës politike se sa qëndrim politik”, ka thënë Haziri , në një intervistë për “Indeksonline”.

Ndërsa sa i përket deklaratave të Kurtit karshi BE-së, Haziri ka thënë se raporti i çuditshëm politik, e ka sjellë Kosovën në masa ndëshkuese.

“Tani më politika konfliktuoze e z .Kurti po përcillet në të gjitha qendrat. Ky raport i çuditshëm politik Kosovën e ka sjellur në masa ndëshkuese. Praktikisht Brukseli dhe Washingtoni çkado që ndodh në Prishtinë, e marrin “normale”, sepse vjen nga një vend i cili përmes Qeverisë së vet prodhon politika të këqija dhe këto qëndrime politike nuk po merren seriozisht. Por është një shqetësim serioz të partnerët dhe miqtë e Kosovës, i cili po përcillet në kuadër të një normalizimi regjional, jo vetëm Kosovë-Serbi po i gjithë Ballkanin Përendimor”, tha Haziri.

Sipas tij LDK nuk i frikësohet zgjedhjeve dhe se ata janë të gatshëm për to.

“Sa i përket LDK-së ne jemi të gatshëm nesër. Më falni sa i përket LDK-së ne jemi të gatshëm dje me qenë në zgjedhje. Por kjo varet nga kjo Qeveri e cila po thirret në emër të një stabiliteti dhe një shumice të 14 shkurtit të para 3 viteve. Por mos harroni, për krejt Kosovën jemi në vitin 2023 dhe vetëm z. Kurti dhe besimtarët e tij besojnë që 15 shkurti s’ka ndodh ende”, tha ai

Gjykata e Tiranës pranon ekstradimin për Goxhajn në Gjykatën Speciale