Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kërkuar që të bëhet ndarja e integrimit të Kosovës në BE nga procesi i dialogut.
Në lidhje me këtë kërkesë të kryeministrit, ka folur për “Gazeta Blic”, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.
Haziri tha Kosova ka patur proces të ndarë të integrimit me dialogun por se marrëveshja e Ohrit dhe ajo e Brukselit e dërgojnë Kosovën në një proces të kushtëzuar falë dështimeve të Kurtit.
“Asgjë që ka kërkuar nuk është realizuar. Kosova ka pas proces të ndarë te Dialogut me integrimet Europiane por Serbia ka qenë e kushtëzuar për njohjen e Kosovës, kufijve të saj.”
“Marrëveshja e 18 Marsit në Ohër dhe korniza e marrëveshjes së 28 shkurtit në Bruksel e dërgoi Kosovën në një proces të kushtëzuar falë dështimit të zotit Kurti” deklaroi Haziri për “Gazeta Blic”.
Ai tutje shtoi se ka patur një ‘dështimi epokal’ në procesin e dialogut dhe se për këtë arsye Kurti vazhdon me politikat populiste.
“Kosova tani është edhe në masa ndëshkuese për shkak të Konkluzës së Këshillit Europian të datës 22 mars 2023 e adaptuar nga 28 shtete anëtare ku ‘gur në qafë për Kosovën’ është dështimi epokal në dialog dhe këtu vazhdon te shitja mjegull për popullin dhe politika populliste” deklaroi Haziri për “Gazeta Blic”.
Këshilltari i kryeministrit Kurti ka sqaruar se kërkesa për ndarjen e integrimit nga procesi i dialogut nuk është diçka e re.
“Jo nuk është një kërkesë e re apo ad-hoc. Është një kërkesë që kryeministri e ka bërë në një kontekst të samitit që e patëm për planin e zhvillimit, të rritjes më fal, ku do të ketë edhe 6 miliardë euro shtesë për Ballkanin Perëndimor bazuar në performancën e reformave. Pra plani i rritjes është i lidhur me reformat sidomos në sundimin e ligjit, demokratizimin dhe zhvillimin ekonomik. Kosova është kampion në zhvillim e demokracisë dhe ekonomik”
“Pra nuk është e drejtë që gjithë këtë progres që Kosova e bën, në fund të kushtëzohet me disponimin e Serbisë në dialog. Ky është konteksti në të cilinë e ka thënë kryeministri pjesën për kushtëzimin në Shkup në 22 të këtij muaji. Pra nuk është kërkesë që të hiqet njohja reciproke nga kushtëzimi me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, sepse për këtë jemi shumë të vetëdijshëm. As Kosova dhe as Serbia nuk mund të bëhen anëtarë të BE pa njohur njëra-tjetrën, pa njohje reciproke. Por duhet të keni parasysh që Serbia është ajo që nuk po do as Bashkimin Europian dhe as normalizimin e marrëdhënieve. Në këto kushte mendoj që Kosovës nuk duhet ti pengohet, pra kjo është deklarata e kryeministrit, përafrimi me Bashkimin Europian por duhet të shikohet se cilat janë meritat” ka dekalruar këshilltari i kryeministrit raporton Gazeta Blic.
/Gazeta Blic/
‘Arsyet pse Kurti kërkon ndarjen e integrimit nga dialogu me Serbinë’


