Qeveria e Kosovës është duke pritur veprimet e KFOR-it për largimin e barrikadave në veri. Por me këtë nuk pajtohet nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Haziri tha se Kosova duhet që t’i shfrytëzojë kapacitetet e KFOR-it e jo të thuhet që ne kemi kapacitete për ta menaxhuar vet situatën në veri.
“Duhet të shfrytëzohen kapacitetet e KFOR-it e me gjetë zgjidhje, e jo t’i thuhet KFOR-it ne kemi kapacitete me vepru vet. Se ata e dinë sa kemi kapacitete ne…ata na vlerësojnë kapacitetet e sigurisë çdo ditë. Edhe na ndihmojnë me ndërtu kapacitete edhe janë pjesë e ndërtimit të organeve tona të sigurisë”, tha ai në “Këndi i Debatit” në Tëvë 1.
Tutje ai theksoi se qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje nuk po mësojnë nga gabimet e të tjerëve në të kaluarën, por po mësojnë nga gabimet e veta.
“Vetë kryeministri i cili është ithtar i zgjedhjes së këtyre situatave është tërhjek tre hapa mbrapa në këtë rast. Çdo proces tjetër i bën dy hapa mbrapa, tani i ka bërë tre. Sepse tha mund të ketë gjakderdhje. Kjo mund të ketë gjakderdhje përfundimisht pas 13 ditëve bllokim edhe pas tre muajve paralajmërim po tregon qartë që qeverisja e Vetëvendosjes dëgjon me kohë por mer vesh vonë. I bjen shumë mend vonë se çka ndodh dhe këta mësojnë nga rasti, nuk mësojnë nga ata që kanë gabuar më herët. Por këta mësojnë nga gabimet e veta”, shtoi ai.