Lajme

Haxhiut s’i pëlqen titulli i emisionit, i thotë Pandurit se ka më shumë potencial për kreativitet

07/02/2024 22:19
nga:G B

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në “Debat Plus” në RTV Dukagjini është “ankuar” te Ermal Panduri për titullin e intervistës.

Ministrja Haxhiu përmes shakasë në fillim të intervistës derisa ajo po pyetej për ligjin për Byron të sponsorizuar nga ministria e saj i cili u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, ka thënë se mund të jetë më kreativ me titujt.

“Po e shoh titullin e emisionit ‘(Pa)Drejtësitë e Albulena Haxhiut’. Duhet lexuar gjithçka çfarë shihet, jo për diçka, por po mendoj që keni potencial më të madh për kreativitet, sepse është hera e tretë më duket” – tha ajo.

Ndërsa, Panduri shprehet se ndoshta “kemi marr shkasë nga moskreativiteti i juaj se po i dërgoni ligjet e po ju rrëzon Gjykata Kushtetuese”, duke shtuar tutje se këtë “titull nuk ma kish rrëzu Gjykata Kushtetuese të jeshë e sigurt”, ka thënë ai.

Haxhiu përgjigjet duke thënë se “edhe në këtë titull ndoshta kish vonu nja një vit e gjysmë e tani ta kishë shpall të pavlefshëm”, por Panduri ka thënë JO, “mu ma kish ba të vlefshëm”.