Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për mënyrën se si shënoi 8-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, raporton GazetaBlic.
Ai e quajti organizimin e aktiviteteve si shah dhe ping-pong si një përpjekje të pavend për të kujtuar një ngjarje të rëndësishme dhe të dhimbshme për familjen Dehari dhe shoqërinë.
Haxhiu shprehu shqetësimin se LVV-ja, e cila ka qenë në pushtet për më shumë se katër vjet, nuk ka arritur të zbulojë të vërtetën mbi vdekjen e Deharit. Ai theksoi se në një përvjetor kaq të rëndësishëm, qeveria do të duhej të përqendrohej në hetimin e ngjarjeve dhe jo të organizonte aktivitete të lehta.
Deputeti Haxhiu ngriti gjithashtu pyetje për humbjen e mostrat e Deharit dhe për djegien e Institutit ku ndodheshin ato, duke kërkuar përgjigje për këto çështje të rëndësishme. Ai shprehu shqetësimin për fatin e dy djemve të Avni Deharit, të cilët kanë bërë vetëvrasje në një periudhë të shkurtër, duke kërkuar një hetim të thelluar mbi arsyet që i çuan në këtë tragjedi.
Në përfundim, Haxhiu e kritikoi kryeministrin Kurti dhe theksoi se Kosova ka nevojë për një lider të fortë si Bedri Hamza për të përmirësuar situatën aktuale në vend.
E plotë:
Shah e ping-pong me Deharin!
Shah, ping-pong e përformanca artistike paska organizuar LVV-ja për ta shënuar 8-të vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit.
Si munden aq shpejt ta harrojnë kauzën e tyre, zbulimin e vdekjes së Astritit?
Duke qenë në pushtet më shumë se 4 vjet, në këtë përvjetor do të duhej të dilnin me zbulimin e të vërtetës së vdekjes së tij, jo të organizojnë lojra shahu e pingponu.
Mjaft luajtën pingpong me këtë familje që u manipulua qëllimisht.
Përse në mandatin e tyre humbën mostrat e Astrit Deharit, përse u dogj Instituti ku ndodheshin ato?
Sot para familjes dhe qytetarëve do të duhej këtyre pyetjeve t’u jepnin përgjigje. Besa, edhe shumë pyetje tjera, si ndodhi që të dy djemtë e Avni Deharit të bëjnë vetëvrasje brenda një kohe të shkurtë e që për Arbnorin nuk flitet, as për vetëvrasjen e tij, si ndodhi? Kush e shtyu deri në vetëvrasje?
Mjaft luajtët pingpong me ndjenjat e njerëzve, mashtrues të cilëve po u vie fundi.
Me Kurtin në pushtet Kosova është aq keq, prandaj i duhet një kryeministër si Bedri Hamza për ta bërë #MaMirë.


