Lajme

Haxhiu: S’mund të ketë ulje të çmimit të barnave derisa nuk ka implementim të sigurimeve shëndetësore

12/23/2024 18:56
nga:G C

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, nuk pret që të ketë ulje të çmimit të barnave edhe pas nënshkrimit listës finale nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia që sipas tij i hap udhë jetësimit të Ligjit për çmimet e unifikuara të barnave.

Haxhiu ka thënë nuk mund të ketë ulje të çmimit të barnave pa fillimin e implementimit të sigurimeve shëndetësore.

Ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1, ka thënë se vendimi i sotëm vetëm se do rrisë tregun e zi të barnave.

“Nuk mund të ketë ulje të çmimit të barnave derisa nuk ka implementim të sigurimeve shëndetësore dhe nuk E-recetë. Kjo do ta rritë tregtinë e barnave në të zezën dhe nëse nuk ka një implementim e dixhitalzimim të sistemit shëndetësor në Republikën e Kosovës, kjo vetëm sa do ta rrisë tregtinë në të zezën të barnave”, ka thënë Haxhiu.

Ai ka thënë se vendimi i sotëm i ministrit Vitia është elektoral, dhe u bë pasi janë nënshkruar kontratat për listën esenciale të barnave me çmim më të lartë në tregun e blerjes.

“Vendimi i sotëm i cili është në fushatë elektorale, pra ka këtë qëllim. Pyetja kryesore është pse nuk u bë një gjë e tillë për katër vite. Pse u bë ky vendim pasi u realizuan kontratat e barnave për listën esenciale ku blerjet janë me çmime shumë më të shtrenjta se çmimet në tregun e blerjes”, ka thënë Haxhiu.