Lajme

Haxhiu: Serbia s’i dorëzon kriminelët e luftës, ne për herë të parë po i gjykojmë ata në mungesë

12/23/2024 13:58
nga:G B

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka theksuar se gjatë mandatit të saj qeverisës janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për adresimin e përgjegjësisë lidhur me krimet e luftës, veçanërisht në lidhje me gjykimin në mungesë të kriminelëve serbë.

Në një konferencë për media të hënën, Haxhiu ka theksuar se këto veprime janë të para në historinë e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

“Në  vazhdën e veprimeve tona, kemi ndërmarr ndryshime të  rëndësishme, që  ndërlidhen me gjykimin në  mungesë  të  kriminelëve serbë , tani mund të  ndjeken penalisht ata që  përpiqen të  shmangin përgjegjësin për krimet që  kanë  kryer pavarësisht vendodhjes së tyre”, ka deklaruar ministrja Haxhiu.

Ajo ka deklaruar se Prokuroria Speciale ka ngritur tashmë 67 aktakuza ndaj 174 personave, nga të cilat dhjetë raste janë në proces gjykimi në mungesë, dhe se ky numër pritet të rritet vazhdimisht.

Ministrja ka theksuar rëndësinë e këtij procesi, duke përmendur se Serbia nuk ka dorëzuar kriminelët e luftës dhe ata që kanë kryer akte terroriste në kohë paqeje, duke bërë të domosdoshme adresimin e gjykimit në mungesë për këta individë.

“Veprimet që kemi ndërmarrë janë realizuar për herë të parë, si Instituti për Krime të Luftës, si Drejtësia Tranzicionale dhe si gjykimi në mungesë. Ne ishim të detyruar të nisim nga e para, pasi në të kaluarën nuk ka pasur vullnet për të adresuar përgjegjësinë institucionale për krimet e luftës,” ka përfunduar deklaruar Haxhiu.