Lajme

Haxhiu propozon zgjedhje lokale dhe parlamentare në të njëjtën ditë, Burjani: Kosova nuk mund të presë më

06/04/2025 20:35
nga:Sh R

Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se në takimin me presidenten Vjosa Osmani si përfaqësuese e VV-së, ka propozuar tri data për mbajtjen e zgjedhjeve.

Haxhiu thotë që mund të mbahen në të njëjtën datë edhe zgjedhjet lokale, por edhe ato të reja nacionale nëse nuk konstituohet Kuvendi deri atëherë.

E lidhur me këtë çështje, analisti politik Blerim Burjani në një prononcim për GazetaBlic, thotë se një gjë e tillë duhet të ndodhë dhe të mos humbet më shumë kohë, pasi që po shihet se nuk ka vullnet politik për zgjidhjen e këtij ngërçi.

Burjani thekson se një gjë e tillë ka ndodh edhe në vitin 2007, ku për të njëjtën ditë janë mbajtur edhe zgjedhjet e rregullta edhe ato të jashtëzakonshme.

“Duhet të ndodhë nuk duhet me kohë të humbet, po shihet se nuk ka vullnet as minimal për zgjidhje, nuk mund të pritet pa fund zgjidhje. Kosova ka mbajt zgjedhje në dy nivele në vitin 2007 edhe te rregullta edhe të jashtëzakonshme. Konstituimi i institcioneve është qartë 60 dite nga certifikimi i zgjedhjeve nga KQZ. Kjo është e qartë. Interpretime për qefe se politike s’mund thuhen fare se politika nuk interpreton por zbaton korniza, programe , strategji, ligje, rregullore”, tha Burjani për GazetaBlic.