Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili është kandidat për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit, me numër 109, ka folur në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur për mos shkuarjen e kryeministrit Albin Kurti në Prokurori, pas ftesës që i është bërë.
Kurti ka kërkuar që prokurorët të shkojnë në zyrën e tij për ta intervistuar.
Lidhur me këtë, Haxhiu ka thënë se askush nuk është mbi ligjin dhe se Kurti ka një frikë që nuk shkon në Prokurori.
Sipas tij, në Kosovë Prokurorisë nuk po i përgjigjen dy njerëz, Kurti dhe Radoiçiqi.
“Dikush që ka premtuar drejtësi dhe barazi, tani tenton që të dalë mbi to. Në parim askush nuk është mbi ligjin vlen për të gjithë, qoftë që janë apo kanë qenë në udhëheqje. Çdo qytetar, çdo zyrtar publik e ka obligim të bashkëpunojë me prokurorinë dhe ai është ftuar në cilësinë e dëshmitarit, mirëpo po duket se këtu ka një frikë nga ai ndoshta se mund të përfshihet sepse edhe te rezervat shtetërore është nënshkrimi i kryeministrit për të shmangur procedurat tenderuese dhe ato t’i besohen një mikut të tij, Ridvan Muharremit, ose te rastet në KEK, ai i ka obligim që t’i përgjigjet prokurorisë sikur i janë përgjigjur të gjithë zyrtarët shtetërorë deri tani. Kemi pasur presidentë, kryetarë komunash e të tjerë, që kanë lënë dhe detyrat dhe u janë përgjigjur Prokurorisë së Hagës por edhe prokurorive tjera të cilat kanë pasur raste të tilla, askush nuk është mbi ligjin, as kryeministri Kurti. Të paktën nëse frikësohet vet nuk ka nevojë që ta etiketojë prokurorinë sepse janë institucione të Kosovës dhe duhet t’u përgjigjet. Aktualisht në Kosovë Prokurorisë nuk po i përgjigjen dy njerëz, Kurti dhe Radoiçiqi”, është shprehur ai.
Por, pse po e bën këtë kryeministri?
Deputeti thotë se Kurti dëshiron të viktimizohet për qëllime elektorale dhe përpiqet t’i mbrojë ata që po i heton prokuroria.
“E para që dëshiron ta bëjë është një viktimizim për qëllime të fushatës. Dhe e dyta, përpiqet t’i mbrojë ata që po i heton prokuroria për korrupsion, për abuzim të buxhetit, detyrës zyrtare. Këto janë dy arsyet por ai po ashtu tenton ta minojë punën e Prokurorisë por ne e pamë konferencën e z.Blerim Isufaj i cili tregoi se ka më shumë aktakuza ndaj ish ministrave të qeverive të kaluara se sa qeverisë aktuale. E ka për obligim të përgjigjet por unë e kam thënë edhe në fillim, nuk ka qeveri që ka vjedhur më shumë e që ka punuar më pak”, ka vlerësuar Haxhiu për Gazeta Blic.
Ndërsa, për mos certifikim të Listës Serbe, ai thekson se po bëhet për qëllime elektorale dhe se ka mundur të shpallet organizatë terroriste më herët.
“Mos ceritifikimi i subjektit politik duhet të jetë mbi baza ligjore. MPB duke pasur dy organizata të shpallura terroriste, në atë kohë ka pasur baza që edhe Listën Serbe ta shpallë të tillë dhe me këtë do të bëhej baza ligjore edhe për mos certifikim. Edhe pas sulmit në Banjskë KQZ ia ka alokuar Listës Serbe 350 mijë euro dhe tani pati një përpjekje për ta bërë këtë për qëllime elektorale por u pa që edhe vet kryesuesi i KQZ-së dëshmoi se kjo ishte përpjekje joligjore dhe për qëllime elektorale”, ka potencuar deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu./Gazeta Blic/