Lajme

Haxhiu për Vettingun: Komisioni i Venecias nuk e ka miratuar 100 për qind versionin e qeverisë

07/06/2022 20:59
nga:G B

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se mënyra si qeveria e ka paraparë formimin e Vettingut në drejtësi, nuk është miratuar 100 për qind nga Komisioni i Venecias, raporton Gazeta Blic.

“Nuk është 100 për qind çfarë Qeveria ka synuar, sepse ne kemi konsideruar që duhet të kemi vetting për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët në Republikën e Kosovës, përmes mekanizmit të jashtëm, ndërsa komisioni i Venecias na e ka dhënë dritën e gjelbër për vettingun duke filluar nga nivelet e larta të sistemit të drejtësisë dhe pastaj fuqizimin e mekanizmave aktual brenda sistemit të drejtësisë, gjegjësisht jo mekanizmat aktual, por parasheh që të fuqizohen mekanizmat ose këta të tillët ose të tjerë varësisht se si ne e konsiderojmë” tha Haxhiu në Rubikon të Klan Kosovës.

E pyetur se a do të respektohen në përpikëri rekomandimet e Komisionit të Venecias, Haxhiu tha se këto rekomandime janë një reformë e madhe në sistemin e drejtësisë dhe llogaridhënies.

“Ne mendojmë që përgjigja e Venecias për vettingun në sistemet më të larta të sistemit të drejtësisë ku përfshihet Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, kryeprokurorët e prokurorive dhe kryetarët e gjykatave, është një reformë e madhe që do të bëhet pas miratimit të paketës ligjore në Kuvendin e Kosovës dhe besojmë që megjithatë është një hap i mbarë sesi mund ta kemi sistemin e drejtësisë llogaridhënës, transparent dheefikas, sepse Këshilli Gjyqësor edhe ai Prokurorial po t’i kemi ata të duhurit më shumë se gjysma e problemeve në sistemin e drejtësisë zgjidhen” tha Haxhiu.

Sipas ministres së Drejtësisë, sikur Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe ai Prokurorial të kishin funksionuar siç duhet, nuk do të kishte pasur nevojë që të nisej një reformë e thellë në sistemin e drejtësisë.