Ish-deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu thotë se vendimi i fundit i MASHT-it për të kaluar përgjegjësinë e blerjes së librave për fëmijët tek prindërit, sipas saj është skandaloz.
Haxhiu në një prononcim për GazetaBlic thekson faktin se që 14 vite kjo barrë nuk ishte tek prindërit, por tek Qeveria.
Haxhiu thekson se një gjë e tillë po ndodhë për herë të parë.
“Janë mbi 13, 14 vite që nxënësit e Shkollës së Mesme të Ulët marrin librat falas prej Qeverisë së Kosoës, por ky i fundit i MASHT-it është një vendim skandaloz. Është hera e parë që ndodhë një gjë e tillë, aq më tepër kur jemi para fillimit të vitit të ri shkollor”, tha Haxhiu.
Teksa flet për shkollën që ajo drejton, Haxhiu thotë që nuk e di se si do të dalin para prindërve, pas një vendimi të tillë.
“Derisa në vitin e kaluar janë nda mbi 12 milion, tash nuk e di se çfarë llogarie kanë bërë, por janë nxënësit që janë duke humbur. Unë asnjëherë nuk kam prit diçka të mirë nga ministrja aktuale, por sot si drejtoreshë e shkollës jam e brengosur sepse nuk e di se si do të dalim para prindërve”, tha Haxhiu.
“Ky vendim skandaloz tregon për një papërgatitje, është qesharake. Kjo është Kosova jonë e dashur, këta janë ministrat që shumica e qytetarëve i kanë votuar. Kjo është një brengë shumë e madhe e gjithë drejtorëve”, tha Haxhiu për GazetaBlic.
“Qeveria ‘Zdravo’ po dojnë me vjedhë edhe në Abetare, Hashim Thaçi hoqi barrën e librave”


