Lajme

Haxhiu pas dënimit të Mlladiq: Kosova duhet ta përgadis mirë padinë për gjenocid ndaj Serbisë

06/08/2021 19:55
nga:Y I

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka vlerësuar lajm të mirë vendimin për dënimin me burgim të përjetshëm të kriminelit të luftës dhe njërit ndër udhëheqësit e gjenocidit në Bosnjë, Ratko Mlladiq.

Ajo përmes një shkrimi në Facebook tha se ky është sigurisht lajm i mirë jo vetëm për mijëra familje që kanë humbur më të dashurit e tyre, por edhe për vet drejtësinë ndërkombëtare.

“Për këtë krim nuk është fajtor vetëm Mlladiq, por edhe vet Serbia si përgjegjësja dhe planifikuesja e këtij gjenocidi. Shteti i Serbisë nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviqit ka kryer gjenocid edhe në Kosovë, përveçse paraprakisht në Bosnjë. Krimet e kryera në këto dy vende nuk janë individuale, ato i gjejmë të planifikuara e urdhëruara nga vet shteti serb”, shkroi ajo.

Ajo thotë se Kosova duhet të përgatisë mirë padinë për Gjenocid ndaj Serbisë, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend për mijëra të vrarë, mijëra gra e burra të dhunuara.

Reagimi i plotë:

Lajmi për dënimin me burgim të përjetshëm të kriminelit të luftës dhe njërit ndër udhëheqësit e gjenocidit në Bosnjë, Ratko Mladiq është sigurisht lajm i mirë jo vetëm për mijëra familje që kanë humbur më të dashurit e tyre, por edhe për vet drejtësinë ndërkombëtare.

Për këtë krim nuk është fajtor vetëm Mladiq, por edhe vet Serbia si përgjegjësja dhe planifikuesja e këtij gjenocidi.
Shteti i Serbisë nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviqit ka kryer gjenocid edhe në Kosovë, përveçse paraprakisht në Bosnjë. Krimet e kryera në këto dy vende nuk janë individuale, ato i gjejmë të planifikuara e urdhëruara nga vet shteti serb.

Në këtë drejtim është e domosdoshme që krahas evidencës shtetërore përmes Institutit për Krimet e Luftës dhe fuqizimit të institucioneve të drejtësisë për adresimin e krimeve të luftës, të përgatisim mirë edhe Padinë për Gjenocid ndaj Serbisë në mënyrë që drejtësia të vihet në vend për mijëra të vrarë, mijëra gra e burra të dhunuara, mijëra shtëpi të djegura e shkatërruara e shumë pasuri të plaçkitur e vjedhur dhe një popull të tërë të përzënë nga trojet e tyre.