Lajme

Haxhiu: Në qeverinë Kurti, aty ku jeni vetëm një i vdekur i radhës e jo njeri!

09/08/2021 17:38
nga:Q R

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, duke e komentuar skandalin e Ministrisë së Shëndetësisë, për manipulimin me shfirat e të vdekurve, thotë se në vazhdimësi qeveria Kurti po manipulon me numrin e rasteve të vdekjeve, sipas tij, këto raste po trajtohen vetëm si shifër, e jo si njerëz.

Haxhiu për ‘Gazeta Blic’, thotë se përveç manipulimit me rastet e vdekjeve, një gjë e tillë po ndodhë edhe me numrin e testimeve dhe vaksinave.

“Ka manipulim të numrave në vazhdimësi, tash veç se e kanë konfirmuar që po manipulojnë me numrin e vdekjeve, kjo është tragjike sepse për Ministrin e Shëndetësisë dhe Qeverinë Kurti vdekjet janë numra dhe jo njerëz, pra i trajtojnë vetëm si shifra. Kjo është brengosëse dhe shqetësuese, kjo është skandal në vete, në vazhdimësi Qeveria ëshë përpjekur me manipulu me numrin e rasteve të vdekjes, e kam ngritur si shqetësim edhe në muajin mars këtë problem. Unë kam ftuar edhe prokurorinë të merret me këtë rast, sepse ka pasur manipulime edhe me numrin e testimeve, mospërputhje të mëdha, manipulime me numrin e vaksinave e shumë të tjera”, thotë Haxhiu.

Duke folur për rastet e reja, ai thotë se ulja e rasteve që po bënë MSh-ja, është skandal dhe se propaganda e mashtrimi është mjeti kryesor i qeverisë Kurti.

“Nuk ka koment se çka është në gjendje të bëjë kjo qeveri, nuk përpiqet të mposhtë pandeminë, por të manipuloj me numra. Propaganda dhe mashtrimi është mjeti kryesor i kësaj qeverie”, thotë Haxhiu.

Ministria e Shëndetësisë, në krye me Arben Vitin, në raportin 24 orësh të rasteve të reja me Covid-19, sot ka raportuar se kanë ndërruar jetë 28 persona, derisa pas disa minutave ka përditësuar postimin, duke e ulur numrin e rasteve me fatalitet në 24, shkruan Gazeta Blic.

 

SKANDAL: Ministria e Shëndetësisë luan me shifrat e të vdekurve, fillimisht njofton 28 të vdekur, pastaj e ulë në 24