Lajme

Haxhiu: Me komisionin komunist, Kurti legjitimon dështimin në shëndetësi – të nisin shkarkimet

09/14/2022 15:53
nga:G B

Sot do të mbahet mbledhja e parë e Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi të kryesuar nga kryeministri Albin Kurti.

Mbledhja e këtij komisioni do të mbahet nga ora 17:30 në ndërtesën e Qeverisë.

Pjesë e këtij komisioni janë ministri i shëndetësisë, Rifat Latifi, zëvendësministrja, Dafina Gexha Bunjaku, zëvendësministri Arsim Berisha, Kryesuesja e Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Aida Rexhepi, UD. drejtoresha e ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu – Raci si dhe këshilltari i kryeministrit, Jusuf Ulaj.

E, për anëtarin e Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, Bekim Haxhiu, njëherësh deputet i PDK-së, përmes këtij komisioni, të cilin e quan të stilit komunist, kryeministri Kurti po e legjitimon dështimin në shëndetësi.

“Komisioni ekzekutiv i shëndetësisë është legjitimim i dështimit të shëndetësisë. Qeveria Kurti ka dështuar në shëndetësi dhe vija kushtetuese, hirearkike, institucionale ka dështuar për këto 2 vite të qeverisjes së tij dhe nuk mund të mbulohen dështimet në shëndetësi me formimin e komisioneve të stileve komuniste”, thotë ai për Gazeta Blic.

Sipas Haxhiut, Kurti është përgjegjësi institucional, ligjor dhe kushtetues për gjendjen në shëndetësi, derisa ka emëruar bord të SHSKUK-së ata që u janë gjetur miliona euro keqpërdorime nga Raporti i Auditorit.

“Përgjegjësinë institucionale, ligjore dhe kushtetuese për gjendjen në shëndetësi e ka kryeministri, sepse qeveria e ka emëruar bordin e SHSKUK-së, e ka ministri i shëndetësisë dhe të gjithë të tjerët vartësit e tyre. Sot gjendja në shëndetësi është alarmante për shkak të keqmenaxhimit. Raporti i Auditorit për SHSKUK-në ka raportuar miliona euro keqpërdorime dhe kryeministri nuk i vendos para përgjegjësisë asnjë por formon komision për shëndetësi”, vlerëson deputeti.

Ai përmend ikjet e mjekëve nga Kosova dhe mungesën e masave nga qeveria për ta ndalur këtë trend.

“Asnjë veprim i kryeministrit për këto vjet nuk është bërë për ta ndalur ikjen e mjekëve, asnjë masë nuk e ka marrë. Më shumë se 140 mjekë specialistë kanë braktisur sektorin publik vetëm brenda këtij viti, që nuk ka ndodhur deri më tani asnjëherë, ka pasur ikje por jo në këtë nivel dhe numri i atyre që po e braktisin sektorin publik dhe privat dhe po ikin jashtë vendit është shumë i madh dhe me këto paga që janë, nuk mund të mbahen”, thekson ai për Gazeta Blic.

Haxhiu shton se dështimet e Kurtit dhe qeverisë në shëndetësi nuk mund të mbulohen me një komision të tillë por duhet të ketë shkarkime.

“Ata të cilët deri dje janë quajtur heronj, sot janë harruar nga qeveria Kurti dhe ky dështim i kryeministrit Kurti dhe i qeverisë së tij nuk mund të mbulohet me komisione por do të duhej të ketë shkarkime për ata që e kanë keqpërdorur paranë publike dhe të vihen para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë dështuar në sistemin shëndetësor”, thotë ai.

Deputeti madje potencon se nuk mund të pritet asgjë nga ky komision, derisa pjesë e tij janë njerëz që njihen për keqpërdorime milionëshe.

“Albin Kurti është përgjegjës për gjendjen në shëndetësi sepse bordi i emëruar nga ai është raportuar për miliona euro keqpërdorime dhe kur i njëjti vendoset në komisionin ekzekutiv, çfarë mund të pritet nga ai. Janë ata që për të njëjtit kanë ikur anesteziologë dhe për këtë nuk është marrë asnjë masë”, deklaron Bekim Haxhiu./Gazeta Blic/