Lajme

Haxhiu, Kurtit: Kosova është çliruar në vitin 1999, po flitet për luftë nga njerëz që kanë refuzuar t’i kapin armët

01/07/2025 13:29
nga:G B

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili është kandidat për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit, me numër 109, ka folur në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se Kosova është çliruar në vitin 1999, derisa ka folur për deklaratat e qeveritarëve se e kanë çliruar veriun.

Ai ka thënë se për luftë po flasin njerëz që kur ka qenë koha të dëshmohet guximi e trimëria, kanë ikur nga Kosova e disa kanë refuzuar t’i kapin armët për të luftuar.

“Kosova është çliruar në vitin 1999 dhe integriteti dhe sovraniteti është shtrirë nga pika 1 dhe 31 edhe në pjesën veriore. Kjo qeveri ka bërë përpjekje që ta përdor veriun për çështje elektorale sepse këta njerëz nuk kanë qenë në veri as kur janë sulmuar njerëzit në vitin 99, as 2000, as 2004, 2008 as 2011. Pra Kosovën duhet me e dashtë si në pushtet, si në opozitë, këta njerëz nuk i kemi parë në gjëra të tilla. Shpesh për luftë po flasin njerëz që në kohën kur është dashur të dëshmohet guximi, trimëria dhe atdhedashuria kanë ikur nga Kosova e disa kanë refuzuar t’i rrokin armët”, është shprehur Haxhiu.

Sa i përket paralajmërimeve të Kurtit për sulme të reja nga Serbia, deputeti thotë se kur ka informacione të tilla duhet të parandalohen ato dhe jo të përhapet panik.

“Çdoherë Kosovës i vie rreziku nga Serbia, derisa s’ka një marrëveshje dhe një njohje reciproke. Është Serbia e njëjtë që ka qenë edhe në vitet e kaluara. Kur ka një kryeministër informacione nga institucionet e inteligjencës dhe sigurisë, duhet të ndërmerren masa për t’i parandaluar ato dhe jo për t’i panikuar qytetarët dhe për t’i frikësuar bizneset për të investuar në Kosovë. Derisa çdo të dytën ditë përmendet fjala luftë apo tension, eskalim, kjo i frikëson investitorët që të vijnë në Kosovë dhe të investojnë dhe kjo e pamundëson përmirësimin e mirëqenies sociale te qytetarët, që është rënduar shumë në vitet e kësaj qeverie”, vlerëson ai për Gazeta Blic.

Po ashtu, ai ka folur dhe për ndarjen e 100 eurove për pensionistët dhe fëmijët deri në moshën 16 vjeçare, për çka thotë se është bërë për qëllime elektorale.

“Është kryesisht për qëllime elektorale sepse po të mos ishte për këtë qëllim kjo ndarje do të ishte e rregullt, mujore, ndërsa i ka shpërndarë nga 100 euro, është dyfishuar çmimi i çerdheve. Gjithë vitin ia merr mbi 1 mijë euro, ndërsa në fund të vitit ia jep 100 euro, e gjitha për qëllime elektorale. Por, qytetarët e dinë se kjo është një qeveri mashtruese, mainpulative, ka abuzuar me buxhetin e Kosovës”, ka theksuar Haxhiu.

Kandidati për deputet nga PDK, po ashtu ka numëruar dështimet e Qeverisë në sektorin e shëndetësisë, që thotë se janë të shumta dhe gjendja është përkeqësuar.

“Dështimi kryesor mospërmbushja e sigurimeve shëndetësore. Kanë premtuar reformim, sigurime shëndetësore, riorganizim të sektorit të shëndetësisë, rregullimin dhe përmirësimin dhe ne këto gjëra nuk i kemi parë për 4 vjet. Janë dështime të gjitha ato që i kanë shënuar në programin e tyre qeverisës. Nuk ka ndodhur reformimi në sektorin e shëndetësisë, për më keq gjendja ka shkuar duke u përkeqësuar, listat e pritjes kanë filluar të rriten e jo të zvogëlohen, buxheti i ndarë për këtë sektor është keqmenaxhuar, është rritur buxheti për barna ndërsa që është rritur mungesa e barnave”, ka deklaruar Bekim Haxhiu./Gazeta Blic/