Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka njoftuar se janë zhdukur mostrat e gjakut, urinës e lukthit të aktivistit të vdekur të LVV-së, Astrit Dehari.
Haxhiu tha se çdokush që ka ndjekur sadopak rastin ndaj Astrit Deharit, “e ka të qartë se prej 6 vitesh të gjitha të dhënat, provat e dëshmitarët, është synuar të shtrembërohet, zhduket apo eliminohet. Njëjtë ka ndodhur edhe me këdo që ka pasur vullnet për ta zbardhur rastin”.
“Kujtojmë këtu rastin e mjekëve, ekspertëve, që përgatitën raportin e veçantë mbi gjetjet e raportit të autopsisë që kishte përgatitur IML-ja”.
“Ky akt i rëndë është vërejtur dje gjatë bartjes së mostrave nga frigoriferët e vjetër në të rinjtë, por jam e bindur se ka qenë çështje kohe që ata që e kanë orkestruar do ta plasonin si një veprim dëmtues të procesit në përgjithësi”, deklaroi Haxhiu.
Ajo tha se kjo situatë vendos hije dyshimi në gjithë IML-në, por edhe në veprimtarinë e tij, “jo vetëm për të tashmen, por veçanërisht në të kaluarën”.
“Autorët do të gjenden dhe rasti do të zbardhet”, theksoi ndër të tjera ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.


