Lajme

Haxhiu jep detaje për shkarkimin e drejtorëve të burgjeve në Pejë e Prizren, tregon kur hapet konkursi

12/24/2021 13:53
nga:Y I

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur për shkarkimin e dy drejtorëve të burgjeve në Pejë dhe Prizren, duke theksuar se këta dy zyrtar kanë mbajtur fshehur një ngacmim seksual që kishte ndodhur në qendrën në Lipjan.

Sipas saj, komisioni hetimor ka gjetur që ka pasur shkelje të rëndë të detyrave.

Ndërsa, sa i përket emërimit të drejtorëve në këto qendra, Haxhiu tha se në fillim të vitit të ardhshëm planifikojnë të hapin konkursit për të zgjedhur njerëz profesionist që e duan punën.

“Që nga momenti që kam marrë detyrën jam njoftuar me shumë parregullsi në qendrën korrektuese me qëllimin që të prishim rehatinë që kanë ndërtuar për këto qendra dhe vendosjen e ligjshmërisë në institucionet korrektuese. Sa i përket rastit në fjalë kam larguar nga detyra dy drejtor njërin në Prizren dhe tjetrin në Pejë për faktin se ka pasur paraprakisht një komision hetimor që është ngritur për këto dy raste sepse kemi marrë informacion që këta dy zyrtar kanë mbajtur fshehur një ngacmim seksual që kishte ndodhur në qendrën në Lipjan”.

“Pra janë munduar që atë ngacmim seksual ta adresojnë në prindin e vajzës së mitur dhe të mbetet gjithçka brenda mureve të asaj qendre. Dhe komisioni hetimor ka gjetur që ka pasur shkelje të rëndë të detyrave. Rrjedhimisht pastaj kam marrë kërkesë nga zëvendësdrejtori gjegjësisht të shërbimit korrektues ku ka propozuar të shkarkohen nga detyra rrjedhimisht në përputhje me ligjin”.

“Si ministre kam bërë shkarkimin sepse për mua është e papranueshme që drejtorët e qendrave të fshehin një rast aq të rëndë sepse është rast i penalizueshëm sidomos kur bëhet fjalë që një person zyrtar arsimtar e keqpërdor detyrën e tij dhe ngacmon seksualisht një të mitur. Dhe mbi këtë bazë ne kemi konsideruar që personat në fjalë duhet të largohen nga detyra. Ne jemi duke bërë një strukturim me kapacitete që i kemi aktualisht”.

“Edhe përkundër punës që në shërbimi korrektues ende kemi probleme që duhet të adresohen si shumë prej zyrtarëve janë ushtrues detyre. Ne po planifikojmë që në fillim të vitit të ardhshëm të kemi hapje të konkursit të brendshëm dhe pastaj të jashtme. Qëllimi im është në këto konkurse të zgjidhen njerëz profesionist që duan punën”.

Haxhiu theksoi se në secilin rast që ka pasur shkelje Ministria e Drejtësisë ka vepruar me komisione hetimore dhe inspektorat.

“Secilin rast që e kemi dëgjuar që ka ndodhur shkelje ne kemi vepruar ose me komisione hetimore apo inspektorat dhe ka përgjegjësi të ndërmarrë veprime. Ka pasur raste të shkarkojmë edhe drejtor të tjerë të qendrave korrektuese. Jam e pakompromis karshi shkeljeve dhe vendimeve të paligjshme. Natyrisht kur do të ketë raste të tilla do të veprojmë”,ka thënë Haxhiu./eo/

​Opozita nuk i përkrahë marrëveshjet ndërkombëtare