Lajme

Haxhiu i reagon KGJK-së dhe KPK-së: Barikadimi nuk i ndihmon sistemit të drejtësisë

08/11/2021 18:25
nga:M K

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar sërish ndaj Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Haxhiu përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se skandalet në sistemin e drejtësisë janë alarm dhe duhet të jenë shqetësim për vet këshillat përkatës. Ajo thotë se barikadimi nuk i ndihmon sistemit e as nuk është në shërbim të drejtësisë.

“Bashkëpunimi me institucionet e drejtësisë, është i rëndësishëm, në kuptim të krijimit të kushteve të punës me qëllim të zbatimit të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore. Asnjëherë nuk do t’i mbyllim sytë përballë padrejtësive e shkeljeve.

Skandalet në sistemin e drejtësisë janë alarm dhe kjo duhet të përbëj shqetësim edhe për vet këshillat përkatës dhe është në mandatin tim kushtetues të bëj thirrje për zbatimin e kompetencave të tyre kushtetuese dhe ligjore. Barikadimi nuk i ndihmon sistemit e as nuk është shërbim të drejtësisë”, ka shkruar Haxhiu.

Postimi i plotë:

Sot kam pritur komunikata nga këshillat me anë të së cilave do të përshëndesnin miratimin e strategjisë për sundimin e ligjit.

Në vend të kësaj, KGJK dhe KPK, paskan reaguar kundrejt deklaratës sime ku kam theksuar që nuk do të ketë bashkëpunim me këshillat nëse nuk reagojnë kundrejt skandaleve dhe nëse nuk veprojnë në përputhje me përgjegjësitë e tyre ligjore.

Këtë e paskan cilësuar si “interferim në punën e tyre”!

Jo vetëm unë, po s’ka asnjë raport të vetëm në të cilin nuk evidentohen problemet e mëdha në sistemin e drejtësisë dhe si Ministri, përditë përballemi me shqetësimet e qytetarëve në raport me mosveprimin e institucioneve të drejtësisë. Vonesat në trajtim të lëndëve, ndikimet në sistem, neglizhenca dhe shumë të tjera janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballet sistemi i drejtësisë.

Qeveria jonë ka marrë mandatin e kthimit të besimit qytetar në institucionet e drejtësisë dhe për këtë do të punojmë pa u ndalur.

Bashkëpunimi me institucionet e drejtësisë, është i rëndësishëm, në kuptim të krijimit të kushteve të punës me qëllim të zbatimit të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore. Asnjëherë nuk do t’i mbyllim sytë përballë padrejtësive e shkeljeve.

Skandalet në sistemin e drejtësisë janë alarm dhe kjo duhet të përbëj shqetësim edhe për vet këshillat përkatës dhe është në mandatin tim kushtetues të bëj thirrje për zbatimin e kompetencave të tyre kushtetuese dhe ligjore. Barikadimi nuk i ndihmon sistemit e as nuk është shërbim të drejtësisë.

Është koha e fundit për të punuar e angazhuar në këtë drejtim. Këtë ua kemi borxh qytetarëve dhe vendit.