Lajme

Haxhiu i përgjigjet akuzave për vonesën e seancës: Dhashë kohë, s’kërkuan të veproj shpejt

07/24/2026 12:04
nga:L J

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se aktualisht nuk ka sinjale për një afrim të qëndrimeve ndërmjet partive politike sa i përket arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Në një konferencë për media, Haxhiu tha se nuk ka qenë nën presion nga subjektet politike për ta thirrur sa më shpejt seancën konstituive të Kuvendit, duke theksuar se vonesa ka qenë e qëllimshme për t’u lënë kohë partive që të zhvillojnë bisedime dhe të tentojnë të arrijnë një dakordim, duke respektuar edhe afatet kushtetuese, raporton GazetaBlic.

“Sa i përket çështjes së akuzave nga partitë politike, unë dua ta them hapur: nuk e kam ndier veten nën presionin e partive politike që të thërras seancën konstituive. Nuk po flas për individë; deri tani, dy deputetë nga Aleanca e kanë përmendur këtë çështje, por nuk kam pasur kërkesa nga partitë politike që unë të veproj sa më shpejt. Arsyeja pse nuk kam vepruar e përmenda në fillim të fjalës sime: ishte pikërisht për t’u dhënë kohën në dispozicion për të arritur deri tek një marrëveshje, për shkak të afateve kushtetuese. Por, spekulimeve që po planifikojnë një raund tjetër zgjedhor, unë do t’u përgjigjesha me ftesën e tyre për takime serioze dhe për diskutime se si ta tejkalojmë situatën aktuale. Është e vërtetë që partia fituese, Vetëvendosje, i ka numrat edhe për konstituimin e Kuvendit, edhe për qeverinë. Por, mos i harroni akuzat që na bënin partitë politike në të kaluarën: ‘Pse u ngutët me konstituim? Pse u ngutët me qeveri?’. Pra, pikërisht kjo ka qenë arsyeja që kam konsideruar që, nëse ngutem, ata thonë ‘pse u ngute’; nëse s’ngutem, ‘pse s’ngute’. Nuk u bie tamam asnjëherë”.

Ajo shtoi se, pavarësisht kritikave, beson se vendimi për të mos e thirrur më herët seancën ka qenë i duhuri, pasi synimi ka qenë krijimi i hapësirës për dialog politik.

“Megjithatë, konsideroj që kam vepruar drejt dhe qëllimi im ka qenë më i miri: pra, që të jepet hapësira e nevojshme në dispozicion dhe që të mbërrihet një marrëveshje”.

Në fund, Haxhiu pranoi se palët ende nuk janë pranë një dakordimi, por shprehu shpresën që kontaktet dhe takimet ndërmjet partive të intensifikohen.

“Duket që nuk jemi shumë afër, por uroj që të intensifikohen takimet”, tha Haxhiu.