Lajme

Haxhiu: Deklarimet kundërthënëse Qeveri-Presidencë, dëshmon qartë se e kanë humb kontrollin!

05/16/2024 18:47
nga:Y I

Ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, sot i është drejtuar Këshillit të Evropës me një letër ku theksohet zotimi i Qeverisë së Kosovës, për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asocacionit të Komunave të Kosovës.

Gërvalla tha se ky është një zotim serioz dhe i sinqertë.

“Është ripërsëritje e ofertës së kryeministri Kurti dhënë në Ohër, Bruksel dhe javëve të fundit”, tha Gërvalla në një konferencë për media raporton Gazeta Blic.

Por nga Presidenca deklaruan pak orë më vonë se qeveria nuk është konsultuar me t’a, për dërgimin në KiE, të kësaj letre.

Në lidhje me situatën e krijuar ka dhënë një deklaratë për “Gazeta Blic” deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Haxhiu tha se e gjitha kjo që ka bërë qeveria me menaxhimin e dialogut dhe anëtarësimin në KiE është favori më i madh që ka mundur t’i bëhet Serbisë.

Ai tha se deklarimet kundërthënëse dëshmojnë se të njëjtit e kanë humbur kontrollin.

“Kjo çfarë ka bërë qeveria e Kosovës në menaxhimin e dialogut dhe në pranimin në KiE është favori më i madh që ka  mundur t’i bëhet Serbisë. Nuk ka patur fare nevojë Serbia të lobojë  kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE sepse këtë punë e ka kry qeveria e Kosovës në mënyrën më të mirë për Serbinë dhe në dëmin më të madh për Kosovën. Tokat e Manastirit të Deçanit shkuan falë, zotohen se do ta bëjnë Zajednicën ndërsa ne mbesim pa u antarësu në KiE. Ky dëm është jashtëzakonisht i madh edhe këto deklaratat tani kundërthënëse e dëshmon qartë se vërtet e kanë humb kontrollin” deklaroi deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, për “Gazeta Blic”.


Bekim Haxhiu, PDK!

Në deklaratën e dhënë për “Gazeta Blic” nga këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina, thuhet se Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës.

“Presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve. Kjo letër nuk është e tillë. Mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën. Çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht po ashtu të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione” deklaroi ai për “Gazeta Blic”

/Gazeta Blic/

Reagon Presidenca: Letra e Qeverisë e dërguar në KIE, nuk është konsultuar dhe dakorduar me Presidenten Osmani

Gërvalla për letrën drejtuar Këshillit të Evropës: Është zotim serioz