Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kujtuar masakrën e 3 dhe 4 shkurtit 2000, me ç’rast ‘Rojet e Urës’ vranë 10 shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleq, plagosën shumë të tjerë, ndërsa dëbuan rreth 12 mijë banorë shqiptarë.Haxhiu ka shkruar se Serbia ka kryer shumë krime, teksa Kosovës nuk ia dhanë lirinë dhuratë, por atë e arriti me gjak e sakrificë.
“Ata që kërkojnë gjithnjë e më shumë kompromise ku vetëm Kosova duhet të dhënë diçka janë duke i hyrë në hak Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo më tutje shkroi se liria dhe shteti i Kosovës nuk janë dhuratë, ato janë arritur me gjak e sakrificë.
Postimi i plotë:
Kur të gjithë besonin se çlirimi i Kosovës ishte kryer në qershorin e vitit 1999, në prani edhe të forcave e misionit ndërkombëtar, tetë muaj më pas, në veri të Mitrovicës popullësia shqiptare po përjetonte një tmerr tjetër.
Ishte kjo Nata e Tmerrit e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, ku 10 shqiptarë u ekzekutuan, 1564 familje u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe 11364 persona të tmerruar, dhunshëm u detyran të largohen për të gjetur strehim për sigurinë e jetës së tyre.
Serbia ka shkaktuar shumë krime e dëme në Kosovë. Populli i Kosovës e ka përjetuar në lëkurën e tij këtë gjë. Ata që kërkojnë gjithnjë e më shumë kompromise ku vetëm Kosova duhet të dhënë diçka janë duke i hyrë në hak Kosovës.
Liria dhe shteti i Kosovës nuk janë dhuratë, ato janë arritur me gjak e sakrificë.
Lavdi e drejtësi për martirët e natës së tmerrit të 3 dhe 4 shkurtit.


