Lajme

Hasani: Pas shamisë do të kërkojnë të mësojmë Kuranin, shfuqizimi i udhëzimit administrativ jokushtetues

08/13/2022 11:26
nga:Astrit Gashi

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani, e ka trajtuar me shqetësim fushatën agresive që po bëhet në rrjetet sociale për futjen e shamisë në shkolla. Ai thotë se ata që po japin një mendim ndryshe po linçohen e poshtërohen publikisht.

Sipas Hasanit, pas shamisë që po arsyetohet me “mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve” do të vijë kërkesa për mësim të Kuranit që “do të arsyetohet me të drejtën për mësimin e fesë, versionit më radikal të Islamit”.

Hasani ka kritikuar ashpër Kurtin që dha indikacione se mund ta lejojë përdorimin e shamisë për vajzat e moshës mbi 16 vjeçe, duke thënë se Kryeministri nuk mund të caktojë moshën e pjekurisë, as profilin psikologjik të personave të mitur.

Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka përmendur rastin kur këtij institucioni i ishte kërkuar të “flasë” për shaminë – përfundimi ishte se bartja e shamisë nëpër shkolla parauniversitare publike bie ndesh me Kushtetutën. I tillë, antikushtetues, sipas Hasanit është edhe shfuqizimi i udhëzimit administrativ nëse ndodh.

Hasani më tutje shtoi se udhëzimi administrativ për të cilin diskutohet nuk bën fjalë fare për shami, por për kodin e veshjes së fëmijëve të mitur, të drejtat e të cilëve mbrohen me Kushtetutën e Kosovës, ligjet e saj dhe me dokumente ndërkombëtare specifike, dokumente që, sipas nenit 22 të Kushtetutës, janë pjesë e pandarë e rendit kushtetues kosovar

“Në asnjërën prej këtyre akteve juridike, vendore dhe ndërkombëtare, nuk njihet e drejta e fëmijëve për të predikuar fe dhe edukim fetar nëpër shkollat publike, për të manifestuar ndjenjat fetare dhe ndjenjat tjera sipas kërkesës së prindërve apo kujdestarëve të tjerë të tyre ligjorë. Asnjë normë kushtetuese, ligjore dhe ndërkombëtare nuk thotë se fëmijët kanë të drejtë që të manifestojnë bindjet e tyre fetare dhe bindjet tjera sipas porosive të prindërve të tyre apo kujdestarëve të tjerë ligjorë”, tha Hasani për Express.

Ai më tutje tha se synimi përfundimtar i tyre është uzurpimi i aseteve institucionale të shtetit të Kosovës dhe përdorimi i tyre për transformimin kulturor të shoqërisë, me kuptim islamizimin e saj gradual, nga shkaku se çdo gjë nis me fëmijët.