Ligji për pagat në sektorin publik nuk do të futet në buxhetin e vitit 2022 siç kanë kërkuar sindikatat dhe punonjësit e sektorit publik.
Kjo pasi Projekt-ligji i Pagave ende është në procesin e hartimit, ndërsa projektligji për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës po shqyrtohet në Kuvend.
Shumë sindikata kanë kërcuar me protestë dhe greva, nëse nuk futet në Buxhetin e vitit 2022 edhe Ligji për pagat në sektorin publik, i cili metohet të përcaktojë sistemin e pagave dhe shpërblimeve për zyrtarët dhe funksionarët publikë, kriteret për pagën kalimtare dhe përfitimet e tjera pas përfundimit të funksionit për funksionarin publik, shkruan lajmi.net.
Dihet që një Ligj i tillë ishte miratuar në vitin 2019, por ishte anuluar nga Gjykata Kushtetuese.
Lajmi.net ka kontaktuar Ministrinë e Financave lidhur me ligjin e pagave dhe përgjigja e tyre e shkurtër ka qenë se është në proces të hartimit.
“Projektligji i Pagave është në proces të hartimit, procesi udhëhiqet nga Ministria e Punëve të Brendshme”, thanë nga Ministria e Financave.
Lidhur me këtë çështje, ish deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, i cili ka qenë edhe Kryetar i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, ka qenë ndër sponsorizuesit kryesorë të ligjit për paga, ka komentuar, mos përfshirjen e ligjit në buxhetin e vitit 2022.
“Ligji i pagave është një gabim i Avokatit të Popullit, i Gjykatës Kushtetuese që e kanë anuluar. Në pakon e ligjeve për Administratën Publike, për Reformën në Administratë edhe Ligjin e pagave, kanë qenë bllok. Të dy ligjet tjera kanë kaluar, ndërsa ligji i pagave është ndalur. Për mua ka qenë e pa drejtë atëherë, edhe sot e nesër do të jetë e pa drejtë. Sepse me Ligjin e pagave u janë prishur disa definicione Avokatit të Popullit, Gjykatës kushtetuese, gjyqtarëve, prokurorëve. Në rrethanat e kohës, ligji i pagave ka qenë më i miri. Në të ardhmen edhe ka mundur të behët përmirësimi i tij. Por, lënia pa ligj të pagave i ka shkaktuar dëme, mjekëve, policëve, ushtarëve, mjekëve, kuvendarëve, administratës publike’, tha Hasani për lajmi.net.
Ish deputeti Hasani ka deklaruar se, opozita ka qenë e përfshirë në të gjitha komisionet lidhur më ketë ligj. “Prandaj në atë ligj kanë qenë të përfshirë të gjithë, vetëm se për nevojat e tyre, Gjykata Kushtetuese dhe Avokati i popullit ka marr vendim që të anulohet. Kjo ka qenë absurde, sepse kanë qenë diku 1000 gjykatës dhe për ta ky ligj është suspendu”, shtoi tutje ai.
Ai tha se vlera buxhetore e ligjit ka qenë rreth 120 milionë euro dhe se mundësonte rritje të pagave për më shumë se 70 mijë punonjës të sektorit publik.
Më 6 dhjetor të vitit 2019, ligjin për paga, në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhej “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.
Kurse Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës kishte vendosur që të pezullohet zbatimi i këtij ligji, deri më 30 mars 2020. Me pastaj, Gjykata kishte vendosur ta vazhdojë pezullimin e Ligjit të pagave deri më 30 qershor 2020.
Ligji për paga është miratuar në muajin shkurt të vitit 2019, kurse në fillim të muaji mars kishte hyrë në fuqi. Sipas këtij ligjit, paga bazë është ajo pjesë e pagës, që përfitohet për punën e kryer me orar të plotë të një funksioni apo pozite të caktuar. Vlera e pagës bazë llogaritet duke shumëzuar koeficientin e klasës së pagës me vlerën monetare të koeficientit. Raporti i koeficienteve është një me dhjetë (1:10), të shpërndarë në gjashtëdhjetë e nëntë (69) nivele të koeficienteve.
Koeficienti më i lartë është 10, pozitë kjo që e mban vetëm presidenti i Republikës së Kosovës, më pas është niveli i 9, ku bëjnë pjesë Kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës
Ligji për paga rregullon rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind mbeten jashtë.
Tashmë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës e Kosovës kanë deklaruar se do të vazhdojnë të kërkojnë implementimin e këtij ligji që nga janari i vitit 2022, gjë që po del të jetë e pamundur. Edhe punonjësit shëndetësorë nëpërmjet Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës kanë kërkuar ligjin e pagave, ndërsa ata gjatë ditës së sotme do të mbajnë grevë nga ora 07:00 deri në ora 15:00. Edhe punëtorët e Administratës kanë paralajmëruar poashtu se do të protestojnë lidhur me ligjin e pagave dhe kanë kërkesë të njëjtë me Sindikatat.
Të gjitha këto sindikata kanë paralajmëruar protesta e greva si mjet që kërkesa e tyre të dëgjohet nga institucionet e Kosovës.
Gjatë muajit dhjetor, institucionet e Kosovës pritet të përballen me protesta të mëdha, ndërsa janari mund ta zë Kosovën të kolapsuar në greva te institucionet shëndetësore, arsimore e në administratën publike.