Sporti

Hasan Hyseni: Biletën për garat evropiane do ta sigurojmë me fitore në finalen e Kupës së Kosovës!

04/27/2024 13:40
nga:E K

Prishtina së fundmi po kalon në formë të mirë pas fitores ndaj Malishevës në Superligën e Kosovës dhe triumfit në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës ndaj Dritës.

Kryeqytetasit megjithatë nuk kanë një pozicion të favorshëm në tabelë duke u renditur në vendin e pestë me 43 pikë, duke qenë praktikisht jashtë garës për tre vendet e para.

Ndeshja e radhës për lojtarët e drejtuar nga Emmanuel Egbo është ndaj Llapit.

Lojtari i Prishtinës, Hasan Hyseni për ‘GazetaBlic Sport‘ thotë se skuadra e tij hyn në këtë takim për pikët e plota.

“Ndeshje e fortë kundër një kundërshtari të fortë, por Prishtina, si në çdo ndeshje, edhe në këtë futet për 3 pikë dhe për vazhdimin pozitiv pas ndeshjeve të fundit”, tha fillimisht ai..

Hyseni beson se Prishtina do ta sigurojë tiketën për garat evropiane duke triumfuar në finale të Kupës së Kosovës ndaj Ballkanit.

“Si çdo finale, besoj se edhe kjo do të jetë mjaft e vështirë kundër një kundërshtari si Ballkani, ku një moment mund të vendosë ndeshjen, por siç e dimë, finalet fitohen, nuk luhen, dhe besoj se ne jemi ata që do triumfojnë dhe do të sigurojmë biletën për Europën”, përfundoi Hyseni për GazetaBlic Sport.