Deputeti i VV-së, Hydajet Hyseni Kaloshi, në foltoren e Kuvendit ka recituar një poezi pasi bëri një analogji me kohën e viteve të 90’ta, ngjashëm me ish-deputetin e AAK-së, Shkumbin Demaliaj, i cili ia recitoi një poezi Albin Kurtit në Kuvend, gjatë legjislaturës së kaluar.
Hyseni Kaloshi tha se po bëhet zhurmë, për pak gjë. Sipas tij, “vogëlushët” njëjtë si në vitet e 90’ta, po nxiten të recitojnë poezi patriotike, pak të zjarrta.
“Zhurmë shumë, për pak. Kalim i temash që s’kanë lidhje me temën, mund të na kujtojnë njëfarë mënyre një… nëse ju kujtohet në vitet 90’, vogëlushët që nxiteshin të recitojnë poezi patriotike, pak të zjarrta, shpesh e recitonin një poezi të fëmijëve të vegjël”, është shprehur Hyseni Kaloshi në Kuvend.
Tutje, Hyseni Kaloshi vazhdoi për të recituar poezinë.
“Qesh i vogël e u rrita, Në prehën të nënës u mërzita”, “edhe për të dalë tek ajo tjetra”, vazhdoi Hyseni Kaloshi.
“…E ku deshta unë me qit, rrnoftë Kosova Republikë”, përfundoi poezinë deputeti i VV-së, Hydajet Hyseni Kaloshi.
Gjatë një seance në legjislaturën e kaluar, Shkumbin Demalijaj e pati nisur fjalimin e tij në Kuvend me poezi për Albin Kurtit. Duke thënë se Kurti ka instaluar një praktikë të 100 vjetëve, ai ia ‘krisi’ poezisë.
“Albin Kurti me mençurinë e tij ka mbërri deri këtu. Praktika internacionale para 100 vjet të Vladimirovic Leninit sot po don mu instalu në Kosovë edhe ia kisha thënë një poezi të vogël: Ylli vogël lartë në qiell duket por si zjarr në pyll, sipër dheut larg qëndron xixa xixa xixëllon. Qështu ka me ta qu këtë legjislaturë Albin se ke rrejt”, kishte recituar Demalijaj.