Lajme

Haradinaj uron Joe dhe Shirley DioGuardin për shtetësinë e Kosovës: Nuk i harrojmë miqtë që na mbështetën në ditët më të vështira

08/24/2026 09:55
nga:Genita C

Ish-kryetari i Aleancës , Ramush Haradinaj, ka uruar dy miqtë e tij të hershëm të Kosovës, Joe dhe Shirley DioGuardi, me rastin e marrjes së shtetësisë së Kosovës.

Haradinaj ka vlerësuar veçanërisht kontributin e Joe DioGuardit dhe Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane (AACL), duke theksuar se ata ishin ndër të parët që, që nga viti 1989, ndihmuan në hapjen e dyerve të Uashingtonit dhe Kongresit amerikan për çështjen shqiptare.

“Në ditët tona më të vështira, ata u bënë zëri ynë dhe ndërtuan urat e miqësisë së përjetshme me SHBA-në”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka theksuar se Kosova nuk i harron miqtë që e mbështetën në periudhat më të vështira, duke e cilësuar marrjen e shtetësisë si një simbol të lidhjes së veçantë të DioGuardëve me Kosovën.

“Nga sot ju jeni edhe zyrtarisht shtetas të Kosovës që e deshët dhe e mbrojtët aq shumë. Faleminderit për gjithçka”, ka shkruar Haradinaj.

Në fund, ai ka uruar që miqësia mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të vazhdojë të jetë e fuqishme: “Zoti e bekoftë miqësinë tonë me Amerikën”!