Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Blic Interview me Astrit Gashi, ka folur për zhvillimet politike aktuale në vend, mundësinë për të shkuar në zgjedhje, mënyrat për ta dërguar vendin në zgjedhje, mos mbështetja e shpërbërjes së Kuvendit, Asociacioni, qëllimi i Kurtit që tani të mbahen zgjedhje, bashkëpunimi me opozitën e shumë të tjera.
Ai thotë se është pro rrëzimit të Qeverisë sa më parë, por që jo shpërbërja e Kuvendit, mirëpo dorëheqja ose shkarkimi i Kurtit.
“Personalisht unë dhe AAK mendojmë se është mirë ta rrëzojmë këtë qeveri sa më shpejt, dje jemi vonë e lëre më sot e nesër. Mënyra si shkojmë në zgjedhje nuk është e parëndësishme. P.sh rrëzimi i qeverisë më i drejtpërdrejtë do të ishte shkarkimi apo dorëheqje e kryeministrit, e vërtetë se edhe shpërbërja e Kuvendit e ndal qeverisjen”, thotë Haradinaj.
I pari i AAK-së vlerëson se Kurti ka një entuziazëm të madh, andaj shpreson që të japë dorëheqje.
“Unë vlerësoj se meqë e shoh një entuziazëm të Albinit, ne s’mund të shkojmë në zgjedhje pa qenë ai i kënaqur, 2/3 nuk mund t’i bëjmë, meqë e shoh një entuziazëm të tij, shpresoj që ai të japë dorëheqje, t’ia kthejë mandatin parlamentit, e nëse nuk e bën këtë atëherë mbesim edhe një kohë”, thekson ai.
Sipas Haradinajt, Kurti ka një zor të madh, andaj ka interes për zgjedhje në korrik, por nëse nuk e ka zorin aq të madh, s’jep dorëheqje, derisa shton se Kurti s’duhet të jetë fitues pasi i ka bërë dëme Kosovës.
“Unë e shoh që Kurti e ka një zor, e ka një interes të shkojë në zgjedhje në korrik, edhe nëse e ka këtë zor me siguri e kalkulon dhe ia vlen dhe të japë dorëheqje. Nëse zorin nuk e ka aq të madh, edhe nuk jep dorëheqje. Unë dhe Aleanca kemi dëshirë ta çojmë në shtëpi por jo si fitues por si ai që ka shkaktuar dëme Kosovës si humbës. Shpërbërja e parlamentit e mbron Kurtin nga fajet apo të këqijat që ai ia ka bërë vendit dhe në njëfarë mënyre shkon në zgjedhje me idenë e vazhdimit, shpërbëhet parlamenti për të ardhur një i ri për të ripërtërirë qeverinë”, potencon kreu i AAK-së për Blic Interview.
Haradinaj përmend mocionin që e kishin propozuar për rrëzim të Qeverisë dhe s’kishin gjetur përkrahje, por tani nëse shpërbëhet Kuvendi i shkon Kurtit në favor.
“Shkarkimi i një kryeministri është mënyrë që ne e kemi propozuar dikur me mocion, por s’kemi arritur të bashkohemi si opozitë dhe të marrim vota tjera, s’ka parë dritë mocioni. Shpërbërja e parlamentit është akt tjetër dhe kryeministri do ta lavdëronte veten edhe nëse do të jepte dorëheqje, por në këtë rast ai do të thoshte se respektoi vullnetin e të gjithëve për të shkuar në zgjedhje, si kryetar qeverie, jo si i dorëhequr apo shkarkuar. Unë mendoj dhe besoj se nuk është në favorin e ndryshimit që të mos ketë edhe një mandat të tri të Kurtit nëse shkojmë në zgjedhje me formulën e shpërbërjes së parlamentit”, shton ai.
Më tej, ai thotë se nëse shpërbëhet Kuvendi, lajmi do të jetë që po shkohet në zgjedhje pa dashur Kurti.
“Mundet por për fat të keq nuk është sepse mungon akti i një kryeministri që jep dorëheqje qoftë në qeveri apo parlament. Për qytetarët nuk është ajo, por lajmi jepet që po shpërbëhet kuvendi dhe po shkohet në zgjedhje pa dashur Kurti”, deklaron Ramush Haradinaj.
Sipas tij, veprimi i duhur është që Qeveria t’ia kthejë mandatin parlamentit, por nëse shpërndahet Kuvendi sipas Haradinajt është njësoj si të kryhet mandati i plotë.
“Unë besoj se për qytetarin e Kosovës, të vërtetën e Kosovës, veprimi i duhur i kryetarit të Qeverisë së sotme është që t’ia kthejë mandatin parlamentit dhe po atë ditë t’ia propozojë shpërbërjen parlamentit dhe ne do ta përkrahnim por nuk është radha e përgjegjësive që të shpërndahet kuvendi pa asnjë epilog se a është punuar mirë apo keq. Ne edhe ashtu jemi në zgjedhje, në shtator duhet të shpallen. Unë mendoj se shpërndarja e Kuvendit pa shkarkim të qeverisë është ekuivalent me mandatin e plotë, me zgjedhje të rregullta. Është një dallim nëse shkohet në zgjedhje të rregulla dhe ato të jashtëzakonshme sepse në ato të jashtëzakonshme opozita nuk do ta ketë kohën që ta ballafaqojë pozitën. Do t’i pranonim zgjedhjet e jashtëzakonshme me shkarkim apo dorëheqje, në këtë rast fuqia e të dy palëve pozitë-opozitë do të dukej e barabartë. Nëse shkojmë në zgjedhje me shpërbërje të parlamentit, ia dhurojmë Kurtit një situatë më të qëndrueshme të argumenteve që t’i paraqes para përkrahësve të vet, që ai shpreson ta marrë besimin”, potencon kreu i AAK-së./Gazeta Blic/