Lajme

Haradinaj thirrje Kurtit ta pezullojë vendimin për targat, ka kërkesë edhe për Osmanin e Konjufcën

11/21/2022 21:31
nga:G B

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka bërë thirrje kryeministrit që ta pezullojë zbatimin e vendimit për targat deri në arritjen e marrëveshjes për njohje të ndërsjellë, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi  në Facebook, ai po ashtu i ka bërë thirrje kryetarit të Kuvendit që ta mbledh në seancë të jashtëzakonshme Kuvendin dhe të miratohet rezoluta e propozuar nga AAK.

Haradinaj i ka kërkuar edhe presidentes që të ketë rol aktiv në qetësimin e situatës dhe në kapërcimin e ngërçit të krijuar.

Ai ka ftuar edhe qytetarët serbë që të përmbahen nga aktet e dhunës, teksa ka shtuar se është momenti i fundit që qeveritë e Kosovës dhe Serbisë të bien në ujdi për marrëveshje të paqes për njohje, e të heqin dorë nga veprimet që rrezikojnë jetët e njerëzve!

Postimi i tij i plotë:

I bëj thirrje Kryeministrit ta pezullojë zbatimin e vendimit për targat deri në arritjen e marrëveshjes për njohje të ndërsjellë.

I bëj thirrje Kryetarit të Kuvendit që urgjentisht ta thërras Parlamentin në seancë të jashtëzakonshme, që të miratohet Rezoluta e propozuar prej AAK, për tejkalimin e situates së krijuar.

Po ashtu i kërkoj Presidentes të marrë rol aktiv në qetësimin e situatës dhe në kapërcimin e ngërçit të krijuar.

I ftoj të gjithë qytetarët serb që të përmbahen nga aktet e dhunës dhe të mos bien pre e kalkulimeve politike të regjimit në Beograd.

Është momenti i fundit që qeveritë në Beograd e në Prishtinë, të ulen e të bien në ujdi për marrëveshjen e paqes për njohje, e të heqin dorë nga veprimet që rrezikojnë jetët e njerëzve!