Lajme

Haradinaj: Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte vulosje e orientimit perëndimor

02/15/2024 09:43
nga:G C

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se fitoret e një kombi shtetformues lidhen me momente të krijimit të tempujve të dijes.

Këto komente ai i bëri me rastin e 15 shkurtit, Ditës së Universitetit.

“Kur jemi tek datat historike, fitoret e një kombi shtetformues lidhen me momente të krijimit të tempujve të dijes. E tillë është mbledhja solemne e Kuvendit Themelues të Universitetit të Prishtinës, të 15 shkurtit 1970, njëherësh Dita e Universitetit. Këto janë data të vërteta, këto janë vepra kolosale, këto janë arritje që i paraprinë 17 shkurtit, 2008”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se themelimi i UP-së, është vulosje e orientimit perëndimor.

“Themelimi i Universitetit të Prishtinës është vulosje e orientimit perëndimor të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Urime Universitetit, lavdi kontributit të mijëra e mijëra profesorëve për sakrificën. Urime udhëheqësve që dolën nga ky tempull i dijes”, është shprehur Haradinaj