Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale në vend dhe në rajon, me theks të veçantë për situatën e krijuar nga bllokada institucionale që po zgjat tash e disa muaj. Haradinaj e njoftoi znj. Prattipati për qëndrimin e Aleancës dhe përkushtimin e saj për të dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet.
Në takim, Haradinaj e falënderoi znj. Prattipati për rolin e saj aktiv dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po japin në proceset kyçe që po kalon Kosova.


