Lajme

Haradinaj takon figura kyçe amerikane dhe thekson angazhimin e Kosovës për NATO në inaugurimin e Trump

01/19/2025 15:20
nga:G C

Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj, shpreh nderimin e tij për ftesën që mori për të marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit Trump, duke theksuar rëndësinë e takimeve me figura kyçe amerikane si Matthew Whitaker, Joni Ernst, Randy Feenestra dhe Zach Nunn, raporton GazetaBlic.

Haradinaj diskutoi angazhimin për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe forcimin e marrëdhënieve strategjike mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Ai vuri në dukje rëndësinë e partneritetit mes Kosovës dhe Iowas, që ka evoluar nga një bashkëpunim ushtarak në një aleancë strategjike që përfshin fushat e edukatës, ekonomisë dhe kulturës.

Haradinaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Iowas në rrugëtimin e Kosovës.

Postimi i plotë:

Jam thellësisht i nderuar të fillojë këtë fundjavë festive të inaugurimit te Presidentit Trump, me ftesë të miqve tanë na Iowa e në shenjë të këtij momenti historik.
Ishte e një rëndësie të jashtëzakonshme të takohesha me Matthew Whitaker, i përzgjedhur i Presidentit Trump për ambasador të SHBA në NATO, Senatoren Joni Ernst dhe Kongresmenët Randy Feenestra e Zach Nunn nga Iowa e ShBA.

Në të gjitha bisedat kam diskutuar me prioritet angazhimin e përbashkët të anëtarësimit direkt të Kosovës në NATO dhe kthimit të raportit steategjik mes dy vendeve!

Lidhja ndërmjet Kosovës dhe Iowas, e iniciuar përmes Programit të Partneritetit Shtetëror ndërmjet Gardës Kombëtare të Iowas dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, është e rëndësisë jetike në realizimin e synimeve tona drejt NATO-s. Ajo që filloi si një marrëdhënie e bazuar në mësim dhe mbështetje të ndërsjellë, është shndërruar në marrëdhënie strategjike dhe një afërsi që shkon shumë përtej bashkëpunimit ushtarak. Sot, ajo përfshin lidhje më të gjera mes vendeve tona, edukimit, ekonomisë dhe kulturës, duke qëndruar si një shembull i shkëlqyer i asaj që mund të arrijnë miqësia dhe partneriteti.

Iowa ka luajtur një rol vendimtar në rrugëtimin e Kosovës, dhe mbështetja e palëkundur nga Garda Kombëtare e Iowas, së bashku me besimin dhe përkushtimin e tyre, ka ngritur bashkëpunimin tonë në lartësi të reja. Sot, jo vetëm që qëndrojmë krah për krah në paqe, por gjithashtu shërbejmë së bashku në misione për siguri dhe paqe, duke treguar forcën e vërtetë të këtij partneriteti.

Ndërsa festojmë këtë fundjavë, duke shënuar inaugurimin e Presidentit Trump, dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për popullin e Iowas.