Lajme

Haradinaj takon Dr. David Anderson: Anëtarësimi në NATO, rezultati më i madh i paqes dhe zhvillimit për Kosovën

11/14/2024 17:17
nga:G C

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka pasur kënaqësinë të takohet me Dr. David Anderson, themelues dhe president i Gracism Global, një nga autoritetet kryesore ndërkombëtare në ndërtimin e urave ndërmjet grupeve të ndryshme, përfshirë ato që lidhen me ndarjet e thella të racës, besimit, kulturës dhe pasurisë, raporton GazetaBlic.

Në këtë takim, Haradinaj ka falënderuar Dr. Anderson për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në përpjekjet globale për të sjellë shpresë dhe pajtim mes komuniteteve në të gjithë botën, nga Afrika dhe Azia, deri në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Veriut.

Kreu i AAK-së theksoi gjithashtu se një nga rezultatet më të rëndësishme për paqen dhe zhvillimin e Kosovës është anëtarësimi i drejtpërdrejtë i vendit në NATO. Sipas Haradinajt, ky hap do të mundësojë që Kosova të bashkohet me kombet liridashëse, duke i dhënë asaj mundësinë për një të ardhme më të sigurt dhe më të qëndrueshme në arenën ndërkombëtare.

“Anëtarësimi në NATO është çelësi për stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë të Kosovës,” ka përfunduar Haradinaj, duke theksuar rëndësinë e këtij qëllimi strategjik për vendin.