Lajme

Haradinaj: Sukseset gjatë këtij viti kanë qenë simbolike

12/26/2024 22:43
nga:Y I

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, deklaroi se qeverisë i kanë munguar sukseset gjatë këtij viti.

Në emisionin “Rubikon” ajo u shpreh se e kishte shumë të vështirë që t’i gjente disa suksese të rëndësishme të këtij viti, së paku në politikën e jashtme dhe të sigurisë në temat që i mbulon.

“Sukseset kanë qenë simbolike, nuk kanë qenë pa sukses, sepse Kosova funksionon me shërbyes civilë, me tema të cilat vazhdojnë, dhe nuk varet tërësisht nga një lidership momental, pra ka vazhdimësi, mirëpo padyshim që do të duhej një lidership më i madh për ta shtyrë Kosovën përpara një vizioni më strategjik e padyshim edhe më të qëndrueshëm në aspektin e vazhdueshmërisë prej një qeverie në tjetrën, që këtë nuk e kemi parë, jo me këtë qeveri, por me shumicën e qeverive të kaluara, pra është praktikë”.

Një rikapitullim i vitit të kaluar, ka dominuar tema e Serbisë, jo vetëm për shkak që edhe keqpërdoret zakonisht dhe është keqpërdorur vazhdimisht nga pushtetet në Kosovë për ta përdorur si temë elektorale Serbinë, por edhe për shkak të sulmeve të tmerrshme që i ka bërë shteti serb vitin e fundit, pra Banjskën dhe Iber Lepencin specifikisht”.

“Ne kemi qenë viktime e vazhdueshme e një shteti fqinj kriminal, dhe ne kemi përfunduar me sanksione, pa asnjë sukses të vetëm në dialog. Nëse kali para qerres për Serbinë është Asociacioni, për Kosovën do të duhej të ishte IBM – definim pika kufitare, mendoj unë, dhe këtë nuk e ka bërë qeveria”, deklaroi Haradinaj.

Më tej ajo theksoi se është dështim i qeverisë që nuk ka ditur të etablojë saktë se cilat janë prioritetet ose marrëveshjet prioritare, të cilat do të duhej të fillonin me implementim me urgjencë.

“Fillimisht është dashur që pa u dakorduar marrëveshja franko-gjermane më 2023, të thuhet që Ura e Ibrit dhe IBM-i duhet të jenë prioritet mbi prioritetet për Kosovën, siç është Asociacioni për Serbinë”, përfundoi ajo.