Lajme

Haradinaj-Stublla: Sipas Rutte, sulmi në Ibër-Lepenc është problem rajonal e jo i brendshëm i Kosovës

12/17/2024 11:45
nga:N K

Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se deklarata e djeshme e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s tregon se sulmi në Ibër-Lepenc, është problem rajonal, e jo i brendshëm i Kosovës.

Haradinaj-Stublla në një postim në “X” ka shkruar se boshti i fortë ruso-serb po rrezikon gjithë evropën kontinentale.

“Deklarata e Sekretarit të NATO-s se sulmi terrorist mbi infrastrukturën kritike në veri të Kosovës muajin e kaluar nënvizoi brishtësinë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor sugjeron se ky sulm është një problem rajonal (jo vetëm një çështje e brendshme e Kosovës). Kjo aludon me të drejtë se pas këtij akti qëndron Serbia!”

“Kjo deklaratë u bë dje gjatë një konference për shtyp me Kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq menjëherë pas diskutimit të situatës së vështirë në #Ukrainë pas sulmeve të Rusisë ndaj infrastrukturës së saj kritike”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë një konference të hënën, u shpreh se sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, tregon brishtësinë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Ai bëri thirrje që të nxirren faktet sa më shpejt dhe përgjegjësit të sillen para drejtësisë.