Lajme

Haradinaj-Stublla: Kosova të mos dëmtojë marrëdhëniet me Izraelin

04/05/2022 13:51
nga:Astrit Gashi

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, me anë të një shkrimi në Facebook deklaroi se Kosova nuk duhet të dëmtojë marrëdhëniet me Izraelin, duke reaguar kështu pas publikimit të lajmit se ministrja Donika Gërvalla është takuar me homologun e saj nga Palestina, Riyad al-Maliki.

Haradinaj-Stublla shkroi se mostransparenca e ministres rreth takimit të saj me ministrin palestinez e dëmton Kosovën, dëmton marrëdhënien e re me Izraelin ende pa u konsoliduar mirë.

“Raportimi pas gati një muaji se MPJD Donika Gërvalla Schwarz qenka takuar me Ministrin e Jashtëm të autoriteteve palestineze Al-Maliki gjatë forumit të Antalyas, flet shumë për mungesën e konfidencës politike dhe pazotësisë diplomatike për të qëndruar fort me dy këmbë në tokë prapa qëndrimeve e interesave tona si shtet e si popull. Mostransparenca e Ministres rreth takimit të saj me ministrin palestinez e dëmton Kosovën, dëmton marrëdhënien e re me Izraelin ende pa u konsoliduar mirë, dëmton interesat afatgjate të Kosovës për të siguruar njohje të reja nga shtetet e Lindjes së Mesme, dhe ndihmon pozicionin e Serbisë per të forcuar ‘koalicionin ndërkombëtar’ kundër subjektivitetit të shtetit tonë”, shkroi ajo.

Haradinaj-Stublla më tutje shkroi se “Kosova përveç që ka punuar shumë për të ndërtuar marrëdhënie zyrtare diplomatike me Shtetin e Izraelit, ka bërë përpjekje të mëdha për të zbrapsur kampanjën ilegale të Serbisë për të penguar e dëmtuar njohjet ekzistuese dhe ato potenciale të Republikës së Kosovës”.

“Këtu, me vite të tëra tashmë dihet se është ndihmuar shumë nga autoritetet palestineze, duke shfrytëzuar lidhjen e tyre të ngushtë historike me disa shtete të Lindjes së Mesme. Mos të harrojmë se kjo kampanjë kishte ndodhur ende pa vendosur Kosova marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe ende pa vendosur për hapjen e ambasadës në Jerusalem! Prandaj Kosova nuk ka asnjë përgjegjesi morale ndaj Palestinës, dhe Ministrja nuk është dashur të ndihet në borxh duke e mbajtur larg publikut!”, u shpreh Haradinaj-Stublla.