Lajme

Haradinaj: Sot shohim më shumë migrim dhe më pak shpresë, kjo është oferta e një qeverie populiste

05/01/2024 13:32
nga:G B

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, ka thënë se paga mesatare mezi prek kufirin e mbijetesës.

Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj ka potencuar se në këtë ditë po sheh më shumë uniformitet, më shumë migrim, dhe më pak shpresë.

“Qeveritë e përgjegjshme bëjnë çmos që të drejtat, kushtet dhe mundësitë e punëmarrësve të shënojnë progres. Qeveria Kurti ka bërë krejt çfarë nuk është dashur, që gjendja në tregun e punës të mos shënojë asnjë progres. Paga minimale mbetet një formë e asistencës sociale. Paga mesatare mezi prek kufirin e mbijetesës. Pra edhe sot, më 1 maj, shohim më shumë retorikë, më shumë uniformitet, më shumë migrim, dhe më pak shpresë. Kjo është oferta e një qeverie populiste!”,shkroi ai.

Në përgjithësi sipas Haradinajt, pagat në sektorin publik dhe atë privat mbetën më të ulëtat në rajon.

“Kjo madje në një periudhë kur inflacioni është i papranueshëm për kapacitetin e mangët financiar dhe ekonomik në nivel vendi.  Sikur kjo të mos ketë mjaftuar, punëmarrësit e sektorit më të madh, atij publik, vazhdimisht përballen me trajtim jo meritor dhe diskriminues”, shtoi më tej ai.

Kreu i AAK-së thotë se dialogu me sindikata është transformuar në një platformë monologu.

“Ku qeveria Kurti justifikon dështimet, shpërfaqë arrogancën, dhe monopolizon vendimmarrjen në lidhje me zhvillimin njerëzor dhe ekonomik”.