Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka komentuar mundësitë e bashkëpunimeve pas zgjedhjeve komunale, duke theksuar se partia e tij nuk e sheh të mundur një afrim me Vetëvendosjen në këto rrethana.
Në emisionin “Pressing” në T7, Haradinaj tha se AAK-ja nuk është e gatshme të bashkëpunojë me VV-në në nivel qendror, dhe një qëndrim i tillë ndikon edhe në marrëdhëniet në pushtetin lokal. “Nuk e shohim të lehtë një bashkëpunim me VV-në. Nuk kemi ende një vendim për kryeqytetin, dhe ai nuk do të merret para se të numërohet vota e fundit,” u shpreh ai.
Haradinaj po ashtu tha qartë se nuk do ta mbështesë kandidatin e VV-së për Prishtinën, Hajrullah Çekun, duke theksuar se ky i fundit “duhet ta paguajë faturën politike të Albin Kurtit”.
“Unë do ta votojë prapë të njëjtin kandidat. Nuk ja jap votën VV’së, sepse e ka humb rastin e Prishtinës, ka pas emra shumë më të mirë, njerëz që janë të ktuhit, që jetojnë në Prishtinë, nuk kam asgjë kundër Çekut, por ai duhet ta paguajë faturën e Albinit”, përfundoi Haradinaj.


