Lajme

Haradinaj: Serbia s’e dënon Rusinë sepse i frikësohet të kaluarës së saj gjenocidale

12/08/2025 21:56
nga:Genita C

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj, ka reaguar ashpër pasi Serbia u largua nga votimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara lidhur me kthimin e fëmijëve të rrëmbyer ukrainas nga Rusia.

Haradinaj tha se qëndrimi i Beogradit nuk është befasi, duke theksuar se Serbia nuk mund të votojë kundër Rusisë sepse kjo do ta detyronte të përballet me krimet e veta të së kaluarës.

“Serbia u largua nga votimi në OKB për kthimin e fëmijëve të rrëmbyer ukrainas. Dënimi i Rusisë do të nënkuptonte përballje me të kaluarën e saj gjenocidale: mbi 1,200 fëmijë të vrarë gjatë luftës së Kosovës”, shkroi Haradinaj.

Ajo shtoi se komuniteti ndërkombëtar duhet të heqë dorë nga ideja se Serbia është e ndarë mes Perëndimit dhe Lindjes.

“Bota duhet të ndalojë së pretenduari se Serbia është mes Lindjes dhe Perëndimit. Refleksi i saj është Moska”, përfundoi Haradinaj./