Lajme

Haradinaj: Republika është mbi ty, Albin – mjaft me politika meskine që e dëmtojnë shtetin

09/11/2026 14:48
nga:L J

Ish-deputeti, Daut Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj qeverisjes së Albin Kurtit, duke e akuzuar atë për shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës dhe ligjeve, si dhe për dëmtim të institucioneve dhe demokracisë parlamentare.

Në një reagim në Facebook, Haradinaj ka thënë se, sipas tij, politikat e ndjekura nga Qeveria në detyrë dhe mënyra e përballjes me opozitën janë dëshmi e synimeve që, siç shprehet ai, cenojnë Republikën e Kosovës.

“Shkeljet e vazhdueshme të Kushtetutës dhe ligjeve, politikat meskine e mashtrimet publike dhe, së fundmi, edhe shantazhet ndaj rregullave të demokracisë parlamentare dhe opozitës, janë dëshmi e mjaftueshme për ta kuptuar se çka po synon ky grup njerëzish të arrijë”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka drejtuar kritika të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke pretenduar se ai ka problem me Republikën e Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008.

“Albin Kurti e ka problem të madh Republikën e 17 shkurtit 2008, andaj po e sulmon dhe po synon ta shpërbëjë”, ka deklaruar Haradinaj.

Haradinaj gjithashtu ka kritikuar qasjen e Kurtit ndaj marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër.

“Republika e Kosovës nuk është laborator eksperimental i kuzhinave të kuqe, as për ikjen e fshehjen tënde nga Marrëveshja e Ohrit dhe e Brukselit”, ka shkruar ai.

Haradinaj po ashtu i ka bërë thirrje Kurtit që të mos ndërmarrë politika që, sipas tij, mund ta dëmtojnë shtetin.

“Albin, Republika është mbi ty e secilin prej nesh. Mjaft me politika meskine që e dëmtojnë shtetin. Mos e sjell Kosovën në të panjohura se të gjithë njihemi mes vete”, ka thënë Haradinaj.