Lajme

Haradinaj: Qeveria ka dështuar, duke neglizhuar këshillat e SHBA-ve – AAK do ta ndihmojë Kosovën të dalë nga kjo situatë

12/19/2022 20:02
nga:G B

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka mbajtur takimin përmbyllës për këtë vit me Këshillin e Përgjithshëm të AAK-së, ku prezent ishin edhe aktivistë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta dhe të bizneseve të Suharekës, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se komunat e udhëhequra nga AAK janë më të suksesshmet në nivel vendi, teksa ka shtuar se Qeveria ka dështuar të tregojë rezultate të kënaqshme.

Ai ka thënë se në aspektin e sigurisë, ajo ka neglizhuar këshillat e aleatëve tanë, ShBA-ve në veçanti, duke i bërë dëm të madh vendit por që AAK do ta ndihmojë vendin të dalë nga kjo situatë.

Postimi i tij i plotë:

Në Suharekë, nën përkujdesjen e kryetarit, Bali Muharremaj, në takimin përmbyllës për këtë vit me Këshillin e Përgjithshëm të AAK-së, ku prezent ishin edhe aktivistë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta dhe të bizneseve të Suharekës.

Qeverisja e Suharekës dhe komunat e tjera me të cilat udhëheq AAK, pavarësisht sfidave dhe diskriminimit nga niveli qendror, edhe këtë vit janë komunat më të suksesshme në nivel vendi dhe shembull i qeverisjes së mirë.

Fatkeqësisht, Qeveria jonë ka dështuar të tregojë rezultate të kënaqshme. Ka dështuar në tema madhore që janë jetike për vendin. Ka refuzuar termocentralin Kosova C, ka refuzuar projektin e Gazsjellësit Amerikan, nuk ka implementuar Ligjin e Pagave e ka bllokuar investimet publike.

Në aspektin e sigurisë ka neglizhuar këshillat e aleatëve tanë, ShBA-ve në veçanti, duke i bërë dëm të madh vendit. Por, Aleanca do e ndihmojë Kosovën të dalë nga kjo situatë. E them me plot bindje se Aleanca është nevojë urgjente për Kosovën, për zhvillimin e saj ekonomik, për stabilitet energjetik, për ruajtjen dhe forcimin e partneritetit me aleatët tanë, si dhe për zhvillimin e Komunave të Kosovës.

Duke iu falënderuar për sukseset e përbashkëta që i kemi arritur gjatë këtij viti, uroj që bashkë t’i gëzojmë sukseset në 2023.