Lajme

Haradinaj: Qeveria e Albin Kurtit e ka cënuar Kushtetutën, duhet ndryshim rrënjësor!

04/09/2025 13:18
nga:Genita C

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka theksuar rëndësinë historike të Ditës së Kushtetutës, duke e cilësuar atë si dokumentin themelor që buron nga lufta çlirimtare dhe shpirti liridashës i popullit të Kosovës, raporton GazetaBlic.

Ai ka theksuar se Kushtetuta është baza e demokracisë dhe garantuesja e të drejtave të njeriut, barazisë dhe mbrojtjes së pakicave. Haradinaj ka kritikuar qeverisjen aktuale për shkeljet e përsëritura të Kushtetutës dhe ka kërkuar një ndryshim të thellë të mentalitetit qeverisës, duke kërkuar që Kushtetuta të respektohet në çdo vendim dhe veprim të qeverisë.

Ai ka përfunduar me urimin për Ditën e Kushtetutës.

E plotë:

Sot, Republika e Kosovës shënon Ditën e Kushtetutës, dokumentin themelor të shtetit, që buron nga lufta çlirimtare dhe nga shpirti liridashës i popullit tonë. Pikërisht nga ky parim është ndërtuar një Kushtetutë moderne, që lartëson të drejtat e njeriut, garanton barazinë për të gjithë qytetarët pa dallim dhe siguron mbrojtjen e pakicave. Ajo është themeli i demokracisë sonë dhe gardiane e pathyeshme e parimeve të lirisë, drejtësisë dhe rendit kushtetues.

Në katër vitet e fundit jemi dëshmitarë të një qeverisjeje që në mënyrë të përsëritur ka cenuar dhe shkelur Kushtetutën, qoftë përmes vendimeve arbitrare e antikushtetuese, qoftë përmes mospërfilljes së hapur ndaj saj.
Është i domosdoshem një ndryshim rrënjësor i mentalitetit qeverisës, një kthesë drejt një qeverisjeje që respekton Kushtetutën jo vetëm në letra, por në çdo vendim dhe veprim, që e sheh ligjin si instrument për të shërbyer qytetarëve, e jo për t’i sunduar ata.

Urime Dita e Kushtetutës!