Lajme

Haradinaj për Thaçin e Veselin: Në vitin ’93 erdhën të armatosur në shtëpinë tonë

08/09/2021 22:34
nga:M K

Komandanti i UÇK-së në luftën e fundit në Kosovë, Daut Haradinaj, ka thënë se familjen e tij për herë të parë Hashim Thaçi e Kadri Veseli, si liderë të UÇK-së, e kishin vizituar në vitin e hershëm 1993.

Haradinaj, në një rrëfim për emisionin Pressing, ka thënë se Thaçi e Veseli ishin të armatosur që në atë kohë, por ky fakt s’përbënte ndonjë habi për shtëpinë e Haradinajve, pasi që me armët ishin mësuar edhe ata.

“Hashimin e Kadriun, nëse s’gaboj i kam pritë në ’93-n në shtëpi. S’po them që në të ’93-n jam kanë UÇK, por i kam pritë, u kam ba hyzmet bashkë me Luanin. Kanë ardhur të armatosur, por armët s’kanë qenë befasi në shtëpinë tonë, sepse ishim mësuar me ditë që kemi armë dhe vijnë njerëz të armatosur”, ka rrëfyer Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se i ka parë dy prej udhëheqësve të luftës shumë herë të ngrirë, duke i shpjeguar sakrificat e tyre për çlirimin e vendit.

“Pastaj kanë ardhë prapë, e prapë, e prapë. Për këtë arsye kur ishte rasti i Presidentit dhe Hagës thashë që s’duhet me u koritë se unë personalisht i kam parë me dhjetëra herë të ngrimë, menzi i zbathnin çizmet, të lagur në shi e borë e të ngarkum si mushka me vullnet për ta çliruar vendin”, ka thënë Haradinaj.

Më vonë, si komandant lufte, Haradinaj ka thënë se shpeshherë armët më të sofistikuara që vinin në Dukagjin, i dërgonin drejt Drenicës me supozimin se në atë rajon do të zhvilloheshin luftimet më të ashpra.